Lajmet e fundit
Debat publik për mbikëqyrjen e Ligjit nr. 05/L-021 për mbrojtje nga diskriminimi
E Premte, 06.07.2018
Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione, të cilin e kryesoi zonja Luljeta Veselaj-Gutaj, anëtare e Komisionit, sot mbajti diskutim publik në lidhje me mbikëqyrjen e Ligjit nr. 05/L 021 për mbrojtje nga diskriminimi.
Në këtë diskutim publik, përveç anëtarëve të Komisionit, morën pjesë edhe përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës, me në krye z. Jahja Lluka, këshilltar politik i kryeministrit të Qeverisë së Kosovës, përfaqësuesit e Zyrës për Qeverisje të Mirë pranë Zyrës së kryeministrit të Qeverisë së Kosovës, përfaqësuesit e Ministrisë së Pushtetit Lokal, përfaqësuesit e Institutit të Avokatit të Popullit, përfaqësuesit e Agjencisë për Barazi Gjinore, përfaqësuesit e Zyrës për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore dhe për Mbrojtje nga Diskriminimi, nga Komuna e Gjakovës, Mitrovicës dhe Drenasit, si dhe përfaqësuesit e Hendikosit dhe KDI-së.
Në këtë debat publik, duke folur për mbikëqyrjen e Ligjit nr. 05/L- 021 për mbrojtje nga diskriminimi, kryesuesja e këtij debati, zonja Veselaj- Gutaj, theskoi se anëtarët e Grupit punues të këtij Komisioni, në kuadër të mandatit të vet, por edhe në kuadër të këtij Ligji, kanë vizituar shumë institucione, si ato qendrore, gjithashtu edhe ato lokale dhe se në terren janë ballafaquar me vështirësi të shumëllojshme në implementimin e këtij Ligji, kështu që në të ardhmen të punohet më tepër në terren, në mënyrë që kjo gjendje të fillojë për së mbari, do të thotë që në praktikë të jepen rezultate më të frytshme.
Në vazhdim të këtij debati publik, pjesëmarrësit numruan shumë vështirësi me të cilat ballafaqohen në terren rreth implememntimit të Ligjit nr. 05/L 021 për mbrojtje nga diskriminimi dhe është e nevojshme që, si në nivelin qendror e sidomos në atë lokal, të rritet numri i zyrtarëve, të cilët në terren do të merreshin me mbikëqyrjen e implementimit të këtij Ligji.
Në fund të këtij debati publik, anëtarët e Komisionit u pajtuan që, mendimet dhe sygjerimet nga ky debat do të merren parasysh, në mënyrë që implementimi i këtij Ligji në praktikë të tregojë sa më shumë rezulatte të frytshme.