Lajmet e fundit
Vazhdimi i seancës plenare
E Premte, 06.07.2018
Kuvendi i Republikës së Kosovës, vazhdoi sot punimet e seancës plenare të ndërprerë dje, me pikat e mbetura.
Kuvendi miratoi projekt-rezolutën për kontrollin e mërgimtarëve në kufi, e harmonizuar në mes të grupeve parlamentare, të cilin para deputetëve e paraqiti Faton Topalli.
Seanca, nën drejtimin e kryeparlamentarit Kadri Veseli, vazhdoi me mocionin e propozuar nga Memli Krasniqi, kryetar i GP të PDK-së, pika e 14 të rendit të ditës të zhvendosin si pikë e parë. Me përkrahjen e shumicës së grupeve parlamentare, u vendos që kjo pikë të shqyrtohet si pikë e parë e rendit të ditës.
Pas procedurës së votimit të fshehtë, me dy raunde, Kuvendi zgjodhi për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, kandidatët: Remzie Istrefi- Peci (83 vota), Nexhmi Rexhepi (66 vota) dhe Safet Hoxha (62 vota) dhe ia propozoi presidentit për emërim.
Kuvendi ndërpreu punimet, pasi që kishte mungesë të kuorumit për të shqyrtuar projektligjet që ishin të parapara në rendin e ditës.
Seanca vazhdon të hënën, pas seancës së paralajmëruar për në orën 10:00.