Lajmet e fundit
Nga takimi i Grupit të Grave Deputete me përfaqësues të mediave
E Enjte, 05.07.2018
Grupi i Grave Deputete të Kuvendit të Republikës së Kosovës, ka organizuar sot një takim me përfaqësues të mediave, për të diskutuar lidhur me fuqizimin e grave tek mediat.
Takimin e hapi kryetarja e GGD-së, Mexhide Mjaku-Topalli, e cila tha se ky është vetëm fillimi i një bashkëpunimi më të ngushtë me mediat, ndërsa shprehu gatishmërinë për të qenë në dispozicion të tyre.
Mjaku -Topalli, në kuadër të 13 vjetorit të formimit të GGD-së, uroi të gjithë të pranishmit, duke theksuar nevojën për angazhim të vazhdueshëm dhe pasqyrim sa më objektiv në media të aktiviteteve të cilat kanë për qëllim fuqizimit e rolit të grave.
Anëtarja e Bordit të GGD-së, Teuta Haxhiu, gjatë fjalës së saj theksoi nevojën e një numri më të madh të grave që përfaqësojnë Kuvendin. Ajo tha se GGD-ja nga përbëhet nga deputete të subjekte të ndryshme politike, por kur është në pyetje forcimi i rolit të gruas, në të gjitha nivelet, ato janë bashkë.
Deputetja Besa Baftiu tha se gruaja paraqitet në media për të përçuar mesazhin edhe te gratë e tjera lidhur me çështjet e barazisë gjinore.
Përfaqësuesi i NDI-së, Alex Chavaria, e vlerësoi shumë të rëndësishëm këtë takim me mediat, ngase siç tha ai, po thyhet rutina e komunikimit mes deputeteve dhe mediave.
Sekretari i Kuvendit, Ismet Krasniqi, u bëri thirrje grave që të luftojnë për drejtësi, jo për barazi. Krasniqi u ofroi mbështetje përmes angazhimit të hulumtimeve nga administrata, duke marr modele dhe bërë krahasime me parlamentet e vendeve të tjera evropiane. Ai shprehu gatishmëri të lartë për bashkëpunim dhe mbështetje të vazhdueshme.
Valdete Idrizi, këshilltare e kryeparlamentarit Veseli, tha se nuk ka çështje të grave por, ka sfida të grave të cilat duhet të përkrahen nga burrat dhe gratë. Ajo konfirmoi edhe njëherë mbështetjen e parezervë të kryeparlamentarit Veseli për GGD-në misionit të këtij grupi për të fuqizuar më tej rolin e grave në shoqëri dhe vendimmarrje.