Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Arsim...

E Mërkure, 04.07.2018




Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte Inovacion dhe Ndërmarrësi, të kryesuar nga Ismajl Kurteshi, kryetar, priti sot në takim përfaqësuesen e lartë të BE-së në Kosovë, Natalya Apsotolova.

Në fillim të takimit kryetari i Komisionit, Ismajl Kurteshi, e informoi znj. Apostolova lidhur me planin e punës së komisionit, funksionimin dhe angazhimet e tij. Po ashtu, Kurteshi foli për rëndësinë e bashkëpunimit, për të arritur deri tek reformat dhe përmirësimi i cilësisë në arsim.

Shefja e Zyrës së BE-së, Natalya Apostolova, gjatë fjalës së saj foli për rëndësinë e fillimit të reformës në fushën e arsimit, duke e vlerësuar të vështirë, por e domosdoshme.

Ajo shtroi nevojën e një Vetting-u në menaxhmentin e lartë arsimor, me qëllim të ngritjes së cilësisë së arsimit, si fillim i nisjes së reformave në fushën e arsimit, me qëllim të ngritjes së cilësisë. Lidhur me këtë ajo, sqaroi se nuk flitet për ndonjë spastrim politik, por përgjegjësi të njerëzve në pozita të larta.

"Reforma në arsim nuk është vetëm detyrim. Çdo ditë që vonohet është krim për popullatën e re të Kosovës. BE-ja ka ndarë fonde për arsimin dhe synojnë të rrisim këtë fond nga 12 deri në15 milionë euro. Kjo fushë është me prioritet për ne. Arsimi është kyç për MSA-në dhe agjendën evropiane", theksoi Apostolova.

Ajo foli edhe për ngritjen e përgjegjësisë së drejtorive dhe drejtorëve.

Anëtarët e komisionit shprehën gatishmërinë e tyre për të bashkëpunuar, duke u angazhuar në përmirësimin e gjendjes së arsimit në Kosovë.

 

Nga mbledhja e Komisionit për Arsim...