Lajmet e fundit
Një delegacion i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, vizitoi Agjencinë Kosovare të Privatizimit
E Mërkure, 04.07.2018
Komisioni për Zhvillim Ekonomik..., në përbërje Sala Berisha Shala, kryetare, Glauk Konjufca dhe Mimoza Kusari Lila, anëtarë, në kuadër të aktiviteteve mbikëqyrëse, sot vizitoi Agjencinë Kosovare të Privatizimit, për t'u njohur nga afër me punën dhe sfidat e këtij Agjencioni. Në këtë takim delegacioni i Komisioni u prit nga kryesuesi i bordit të AKP-së me bashkëpunëtorë.
Përfaqësuesit e AKP-së prezantuan punën e këtij Agjencioni, duke përfshirë valët e realizuara të privatizimit, lirimin e aseteve nga uzurpimet, identifikimin e aseteve që deri tash nuk kanë qenë të identifikuara, inkasimin e qirave, shpërndarjen e 20% për punëtorë dhe punë tjera të realizuara nga AKP-ja.
Anëtarët e Komisionit, të pranishëm në këtë takim, u interesuan lidhur me identifikimin e aseteve të ndërmarrjeve shoqërore nën menaxhim të AKP-së, me theks të veçantë aseteve të Trepçës, studimin e fizibilitetit të Trepçës, planet e privatizimit të ndërmarrjeve nën administrim të drejtëpërdrejtë, koordinimin me Qeverinë për shpalljen e zonave ekonomike të cilat prekin tokat në pronësi shoqërore, lidhshmërinë e pronave shoqërore me investimet strategjike, inkasimin e qirasë dhe arsyet e mosinkasimit të një pjese të qirasë.
Ndërkaq si sfida nga AKP u ngritën çështja e vonesave të shqyrtimit të lëndëve nga Dhoma e Posaqme e Gjykatës Supreme, paqartësia e vendimit të qeverisë për ndalimin e privatizimit të tokave, pasi që pothuajse 80% e aseteve kanë të bëjnë me toka, mospagesa për shpronësimet nga Qeveria për t'i dhënë punëtorëve pjesën e 20%.
Në këtë takim u potencua se AKP është e themeluar nga Kuvendi dhe duhet ta mbajë të informuar dhe t'i raportojë në vazhdimësi Kuvendit, pasi AKP është institucion i pavarur i cili i përgjigjet Kuvendit.