Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte Inovacion
E Hënë, 02.07.2018
Komisioni i procedoi Kuvendit Projektligjin për Inspektoratin e Arsimit në Republikën e Kosovës, si dhe shqyrtoi Projektligjin për statusin e punëtorëve të arsimit gjatë viteve shkollore 1990/91 deri në vitin shkollor 98/99
Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte Inovacion dhe Ndërmarrësi, ka mbajtur mbledhjen e radhës, të kryesuar nga Ismajl Kurteshi, kryetar, në të cilën ka shqyrtuar dhe proceduar Projektligjin për Inspektoratin e Arsimit në Republikën e Kosovës, si dhe ka diskutuar lidhur me Projektligjin për statusin e punëtorëve të arsimit shqip të viteve 1990/91 deri në 1998/99.
Në takim komisioni të ftuar kishte përfaqësues të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Ministrisë së Financave, Sindikatës të Arsimit, për të diskutuar lidhur me sugjerimet dhe vërejtjet e ministrive përkatëse që kanë marrë pjesë në amendamentimin e Projektligjit për statusin e punëtorëve të arsimit shqip të viteve 1990/91 deri në 1998/99.
Përfaqësuesi i MMPS-së, Bahri Xhaferi, gjatë fjalës së tij tha se ministria që ai përfaqëson, nuk ka qenë sponzorizuese e këtij projektligji dhe sipas tij, përmbajtja ka mangësi të theksuara. Ai bëri thirrje që ky projektligj të shqyrtohet edhe njëherë.
Përfaqësuesi i Sindikatës së Arsimit, Rrahman Jasharaj, u shpreh i indinjuar lidhur me kthimin e shqyrtimit të këtij projektligji për herë të dytë. Ai tha se ky projektligj është duke lëvizur që sa vite dhe nuk arrihet asgjë përfundimtare.
Anëtarët e komisionit u dakorduan që të vazhdojnë shqyrtimin e Projektligjit dhe të gjitha sugjerimet dhe vërejtjet t'i marrin me shkrim nga ministritë e linjave.
Në vijim të mbledhjes, komisioni e procedoi për në Kuvend Projektligjin për Inspektoratin e Arsimit në Republikën e Kosovës.
Në fund të takimit kryetari i komisionit, Kurteshi, i informoi anëtarët e komisionit lidhur me një shkresë të ardhur nga përfaqësuesi i Zyrtares së lartë të BE-së Apostolova, nëpërmjet të cilës është kërkuar të mbahet një takim i përbashkët me datë 04.07.2018, lidhur me angazhimin e BE-së në ngritjen e cilësisë së arsimit në Kosovë.
Po ashtu u vendos qe komisioni në mbledhjet e radhës të ftojë rektorët e universiteteve si dhe përfaqësuesit e Agjencionit për Akreditim në arsimin e lartë.