Lajmet e fundit

Nga seanca e jashtëzakonshme

E Enjte, 28.06.2018




Kuvendi i Kosovës, mbajti sot seancë të jashtëzakonshme, të thirrur nga kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, me kërkesë për shqyrtimin e parë të Projektligjit për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme për çështje në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit.

Seanca u drejtua nga nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti.

Albulena Haxhiu, në emër të Komisionit për Legjislacion, deklaroi se nuk e përkrahin këtë shqyrtim në procedurë të përshpejtuar, pasi që, sipas saj, është një projektligj i ri dhe shumë i rëndësishëm për t'u shqyrtuar në procedurë të tillë.

Në seancë, i ftuar ishte edhe Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, i cili shpalosi para deputetëve plotësim-ndryshimin e këtij projektligji dhe tregoi për rëndësinë që përmban ky ligj në vete.

Kryeministri, Ramush Haradinaj, tha se nëse neglizhohet kjo çështje, atëherë Kosova, do të jetë në një pozicion të kritikueshëm.

Kryetarët e grupeve parlamentare nga radhët e opozitës, LDK, LVV dhe PSD, dhe nuk dhanë përkrahje që ky projektligj të shqyrtohet në procedurë të përshpejtuar, ndërsa grupet parlamentare të pozitës, PDK, AAK dhe NISMA, u deklaruan pro shqyrtimit të tij me procedurë të përshpejtuar.

Në një marrëveshje në mes të kryetarëve të grupeve parlamentare dhe ministrit Tahiri, deputetët u dakorduan që në seancën e ardhshme të jetë pikë e rendit të ditës dhe shqyrtimi i këtij projektligji të përfundojë brenda muajit korrik.