Lajmet e fundit
Nga vazhdimi i mbledhjes plenare të Kuvendit
E Enjte, 28.06.2018
Kuvendi i Republikës së Kosovës, vazhdoi sot punimet me pikat e papërfunduara më 6, 8, 14 dhe 19 qershor 2018.
Seanca e drejtuar nga nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti, miratoi rezolutën e propozuar nga interpelanca me ministren e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha në lidhje me zbatimin e Programit Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (PKZMSA) për kuartalin e katërt (K4) 2017 dhe kuartalin e parë (K1) 2018, si dhe formoi Komisionin hetimor parlamentar në lidhje me emërimet e shërbyeseve të lartë civilë në Administratën Shtetërore të Republikës së Kosovës, si dhe Komisionin hetimor parlamentar në lidhje me ndriçimin e rastit të dëbimit të gjashtë shtetasve turq më datë 29 mars 2018.
Kuvendi vendosi, ndërkaq, që të shtyhen për në seancën e ardhshme, pikat si në vijim: propozim-rezoluta nga interpelanca e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në lidhje me situatën dhe gjendjen financiare në ndërmarrjet publike të Telekomit dhe të Postës së Kosovës, propozim-rezoluta nga interpelanca e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në lidhje me vendimet e Ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Nenad Rikallo, për shkarkimin e një drejtori dhe ndarjen e mjeteve grante dhe subvencione, raporti vjetor financiar për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2017, raporti vjetor i Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës për vitin 2017, raporti vjetor i Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore për vitin 2017, si dhe raporti vjetor i Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale për vitin 2017.
Në mungesë të kuorumit, për seancën e ardhshme u shty edhe shqyrtimi i dytë i Projektligjit për miniera dhe minerale.
Kuvendi nuk miratoi propozim-rezolutën nga interpelanca e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në lidhje me korrupsionin dhe krimin e organizuar në institucionet dhe zyrtarët e lartë të Republikës së Kosovës, Projektligjin për aktet juridike, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tatimin në të ardhurat personale, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tatimin në të ardhurat e korporatave dhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tatimin në vlerën e shtuar.
Seanca vazhdoi me debatin parlamentar lidhur me Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve 2019-2021.
Ministri i Financave, Bedri Hamza, tha se fushat e trajtuara me prioritet në këtë kornizë janë arsimi, punësimi dhe shëndetësia, qeverisja e mirë dhe sundimi i ligjit, industritë konkurruese, infrastruktura dhe buxheti, integrimi evropian, politika e jashtme dhe çështja e sigurisë.
"Zhvillimet e fundit ekonomike dhe reforma strukturore japin indikacione për rritje mesatare të lartë ekonomike. Sa i përket rritjes ekonomike, rritja reale pritet të jetë 5 për qind", tha Hamza.
Ai shtoi se prej vitit 2018 deri në 2021 të hyrat e përgjithshme planifikohet të rriten për 18.9 për qind.
"Shpenzimet e përgjithshme pritet të rriten gradualisht. Në vitin 2021 shpenzimet e përgjithshme pritet të jenë 2 miliardë e 439 milionë euro apo 19.3 për qind më e lartë sesa viti 2018", theksoi ministri Hamza.
Debati vazhdoi me deklarimet e përfaqësuesve të grupeve parlamentare dhe deputetëve të tjerë të Kuvendit, për fusha të caktuara.
Përfaqësues të grupeve në opozitë, adresuan kritika kundruall qeverisë, duke evidentuar, sipas tyre, të metat dhe mangësitë e ekzekutivit, përfshirë çështjen e pensioneve, bujqësinë, teknologjinë, shëndetësinë, TVSH-në etj.
Deputetë të pozitës, ndërkaq, dhanë vlerësime pozitive lidhur me kornizën afatmesme e shpenzimeve, e cila, siç thanë ata, parasheh rritje të zhvillimit ekonomik e në këtë aspekt edhe rritje të numrit të punësimeve. U vlerësua po ashtu se kjo kornizë është një plan i qeverisë i koordinuar me nevojat e qytetarëve.