Lajmet e fundit
Grupi i Grave Deputete, me mbështetje të UNFPA-së, organizoi tryezë në Komunën e Kaçanikut
E Mërkure, 27.06.2018
Komuna e Kaçanikut ka qenë nikoqire e tryezës lidhur me prezantimin e planit të punës të Grupit të Grave Deputete, si dhe bashkëpunimit midis deputeteve Kuvendit të Republikës së Kosoves dhe asambleisteve.
Në këtë tryezë morën pjesë përfaqësuese të grupeve të grave nga komunat Ferizaj, Hani i Elezit, Shterpcë dhe Kaçanik.
Kryetari i Komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi, tha se është një nder dhe privilegj që Komuna e Kaçanikut është zgjedhur nikoqire e këtij takimi të rëndësishëm, përmes të cilit do të shkëmbehen përvojat më të mira si nga niveli qendror ashtu edhe nga ai lokal në fushën e barazisë gjinore. Kryetari Ilazi tha se deri më tani nuk ka refuzuar asnjë kërkesë apo projekt që ka qenë nga iniciativa e grave asambleiste komunale.
Ndërkohë, kryetarja e Grupit të Grave Deputete, Mexhide Mjaku-Topalli, tha se edhe në këtë takim do të diskutohen temat në interes të përbashkët, duke shtuar se nëse shoqëria investon në arritjen e barazisë gjinore, përfiton e gjithë shoqëria, ndërsa uroi që secilit t'i jepen mundësi të barabarta për të dy gjinitë, ngase, ky investim, sipas saj, ndikon pozitivisht si në aspektin ekonomik, ashtu edhe ato sociale dhe politike, duke shfrytëzuar potencialin e grave dhe burrave.
Kryesuesja e GGD-së prezantoi planin e punës dhe bashkëpunimin e përbashkët nëpër komuna.
Takimin e përshëndetën edhe deputetja e Parlamentit të Republikës së Kosovës dhe anëtare e bordit te GGD-së, Saranda Bogujevci, Lirije Luta, kryesuese e Grupit të Grave Asmableiste nga Komuna e Kaçanikut, Zarife Miftari- Përfaqësuese e UNFPA-së, kryesuesja e Kuvendit Komunal në Ferizaj, Kristina Gashi Bytyqi, si dhe Vedat Dema, zyrtar për Barazi Gjinore.
Për të arriturat, sfidat dhe planet për bashkëpunim e koordinim të ideve të përbashkëta, diskutuan edhe grupet e grave nga nivelet lokale.