Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Zhvillim Ekonomik...

E Marte, 26.06.2018




Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal, i kryesuar nga kryetarja Sala Berisha-Shala, ka mbajtur sot mbledhjen e radhës, në të cilën ka shqyrtuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për automjete.

Po ashtu komisioni shqyrtoi edhe Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Unionit "Konkurrenca e Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme", si dhe raportin vjetor të Agjencisë Kosovare të Privatizimit për vitin 2017.

Deputeti Mërgim Lushtaku arsyetoi iniciativën e tij për ndryshimin dhe plotësimin e Projektligjit për automjete, ndërsa pas diskutimeve, komisioni i dha mbështetje projektligjit.

Mbledhja vazhdoi me shqyrtimin e Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Unionit "Konkurrenca e Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme".

Prezent këtu ishte edhe zëvendësministri i Tregtisë dhe Industrisë, Faton Thaçi. Ai paraqiti para komisionit qëllimin dhe rëndësinë e kësaj marrëveshjeje. Thaçi tha se marrëveshja ka për qëllim të ofrojë qasje më të madhe në krijimin dhe zgjerimin e biznesit. Pas pyetjeve në adresë të përfaqësuesit të ministrisë dhe sqarimeve nga ana e tij, komisioni përkrahu Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Gjatë kësaj mbledhjeje u paraqit edhe Raporti vjetor i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, për vitin 2017. Të pranishëm ishin anëtarë të Bordit, të cilët para komisionit shpalosën punën e AKP-së gjatë vitit 2017. Ata theksuan se viti 2017 ishte viti më i suksesshëm i kësaj agjencie që nga ekzistimi i saj.

Deputetët shtruan pyetje në adresë të përfaqësuesve të AKP-së dhe pas përgjigjeve të marra, në mungesë të kuorumit, ky raport u shty për mbledhjen e radhës së komisionit.