Lajmet e fundit

Nga dëgjimi publik i Komisionit për Arsim...

E Marte, 26.06.2018




U diskutua lidhur me Projektligjin për statusin e punëtorëve të arsimit shqip të Republikës së Kosovës nga viti shkollor 1990/91 deri në vitin shkollor 1998/99

Projektligji për statusin e punëtorëve të arsimit shqip të Republikës së Kosovës nga viti shkollor 1990/91 deri në vitin shkollor 1998/99, ishte temë e diskutimit në dëgjimin e sotëm publik të Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi, të drejtuar nga Ismajl Kurteshi, kryetar.

Përfaqësues të Ministrisë së Arsimit, Ministrisë së Financave, Bankës Botërore, Fondit Monetar Ndërkombëtar, Odës Amerikane dhe Odës së Kosovës, Sindikatës së Arsimit, si dhe përfaqësues të shoqërisë civile, diskutuan për përmbajtjen e projektligjit dhe paraqitën propozime konkrete në nene të caktuar atë tij.

Pikë kryesore e diskutimit ishte numri i mësimdhënësve kontributdhënës gjatë viteve 1990/91-1998/99 dhe kostoja financiare e projektligjit.

Zv/ministri i Financave, Fatmir Gashi, theksoi se problemi kryesor qëndron te llogaritja e kostos dhe mungesa e precizitetit në ligj. Ai tha se ministria nuk është kundër këtij projektligji, por ka rezerva sa i përket kostos së tij.

Ndërkaq, përfaqësuesi i FMN-së, Ruud Vermeulen, vlerësoi se kjo formë e projektligjit është e dëmshme për buxhetin e Kosovës, ngase, sipas tij, parasheh pensione gjeneroze. Ai tha se pas miratimit të këtij projektligji edhe kategoritë e tjera do të kërkojnë benificione.

Përfaqësuesi i Sindikatës së Arsimit, Imer Ymeri, tha se numri i përfituesve që ka thënë Ministria e Financave, prej 9 mijë e 656 pensionistësh, është i fryrë, ngase, sipas tij, në këtë numër është llogaritur se nuk ka vdekur asnjë përfitues. Sipas tij, nga ky numër i bie që të përfitojnë rreth 5 mijë e 900 ish-mësimdhënës, pasi, siç tha ai, rreth 3 mijë e 600 prej tyre kanë vdekur.

Isni Kryeziu nga Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, tha se nuk ka dilema sa i përket numrit të përfituesve. Ai shtoi se kostoja për tri vitet e ardhshme është 16 milionë euro.

Agron Demi, nga instituti GAP, deklaroi se sipas hulumtimit të tyre, jetëgjatësia e këtij projektligji do të mund të jetë deri në vitin 2049.

Në këtë dëgjim publik diskutuan edhe anëtarë të komisionit, ndërsa rekomandimet e pjesëmarrësve do të shqyrtohen gjatë punës për amendamentimin e projektligjit.