Lajmet e fundit
Komisioni për Administratë Publike takoi delegacioni parlamentar nga Shqipëria
E Hënë, 25.06.2018
Në vazhdën e takimeve në Kuvendin e Kosovës, Komisioni i për Çështje Ligjore, Administratë Publike dhe të Drejtat e Njeriut i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, është pritur në takim nga Komisioni për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media i Kuvendit të Kosovës.
Anëtarë të të dyja komisioneve diskutuan për bashkëpunimin e gjerë që tashmë është konsoliduar midis dy parlamenteve, por theksuan nevojën e forcimit të mëtejmë të tij, në segmentet me interes të përbashkët.
U vlerësua se komisionet mund të thellojnë nivelin e bashkëpunimit, duke u njohur më për së afërmi me mënyrën e rregullimit ligjor, si të administratës publike në vendet respektive, ashtu edhe të organizmit dhe mënyrës së funksionimit të pushtetit lokal.
Kryetari i Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, Nait Hasani dhe ai i Komisionit për Çështje Ligjore, Administratë Publike dhe të Drejtat e Njeriut i Kuvendit të Shqipërisë, Ulsi Manja, theksuan përkushtim për të çuar më tej këto marrëdhënie, nëpërmjet vizitave dhe takimeve më të shpeshta të këtij lloji.