Lajmet e fundit

Komisioni për Legjislacion i Kuvendit të Kosovës dhe ai për Çështje Ligjore i Kuvendit të Shqipërisë, nënshkruan memorandum bashkëpunimi

E Hënë, 25.06.2018




Komisioni i për Çështje Ligjore, Administratë Publike dhe të Drejtat e Njeriut i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, sot, në kuadër të vizitës në Kosovë, ka zhvilluar takime me komisione të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Takimi i parë në mjediset e Kuvendit ishte ai me Komisionin për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit, midis të cilëve u nënshkrua edhe një memorandum bashkëpunimi.

Duke u uruar parlamentarëve nga Shqipëria mirëseardhje në Kosovë dhe në Kuvendin e saj, kryetarja e komisionit, Albulena Haxhiu, i njoftoi ata me fushëveprimin, punën dhe angazhimet e komisionit që ajo drejton, si një ndër komisionet kryesore të Kuvendit.

Haxhiu tha se vizitat e tilla janë të mirëseardhura dhe me vlerë të madhe, ngase shërbejnë për këmbimin e përvojave të ndërsjella.

Kryetari i Komisionit homolog nga Kuvendi i Shqipërisë, Ulsi Manja, tha se takimi dhe memorandumi midis dy komisioneve, paraqesin një erë të re të bashkëpunimit dhe i hapin rrugë thellimit të mëtejmë të tij.

Ai tha se të dy parlamentet kanë përvoja të mjaftueshme pozitive dhe kanë çfarë t'i japin mjaft njëri-tjetrit.

Edhe anëtarë të tjerë të komisionit vendor, Hajdar Beqa, Sami Kurteshi, Frashër Krasniqi dhe Bilall Sherifi, por edhe anëtarë të delegacionit nga Kuvendi i Shqipërisë, vizitën në Kosovë e konsideruan mjaft të vlefshme dhe mundësi të mirë për të filluar hapat konkretë në rrafshin e harmonizimit të ligjeve midis dy vendeve.

Pas takimit, kryetarët e të dy komisioneve: Albulena Haxhiu dhe Ulsi Manja, nënshkruan memorandumin e bashkëpunimit, i cili ka për qëllim ngritjen e bashkëpunimit midis komisioneve homologe parlamentare për çështjet e interesit të përbashkët.