Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Administratë Publike...
E Premte, 22.06.2018
Komisioni për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, në mbledhjen e radhës, të kryesuar nga Nait Hasani, kryetar, shqyrtoi raportet vjetore të dy institucioneve të pavarura, për vitin 2017.
Raportet, të cilat u shqyrtuan dhe u paraqitën nga përfaqësuesit përkatës të këtyre institucioneve, ishin: raporti vjetor i Komisionit të Pavarur për Media për vitin 2017, dhe Raporti vjetor i Radiotelevizionit të Kosovës, për vitin 2017.
Raportin e Komisionit të Pavarur për Media, e paraqiti përfaqësuesi i këtij komisioni, Mujë Ferati, i cili foli për procesin e digjitalizimit, bashkëpunimin rajonal, shkëmbimin e përvojave me vendet evropiane, sanksionimet e televizioneve nga Zyra Ligjore KPM-së, si dhe çështjen e rregullimit të mediave, përkatësisht portaleve.
Gjatë raportimit të këtij Komisioni, u paraqitën edhe objektivat kryesore të KPM-së, ndër to edhe rregullorja për pronësinë e mediave dhe edukimi medial.
Anëtarët e Komisionit diskutuan lidhur me emisionet për fëmijë, frekuencat e televizioneve si dhe për subvencionimin e familjeve me asistencë sociale, gjatë procesit të digjitalizimit.
Komisioni vendosi që ky raport të kthehet dhe të sillet në një formë më të mirë.
Mbledhja vijoi me raportin për vitin 2017, të Radio Televizionit të Kosovës.
Ky raport përmban aktivitetet e transmetuesit publik, që u paraqitën nga kryetarja e Bordit të RTK-së, Afërdita Maliqi dhe anëtarë të tjerë të bordit. Ndër të tjera në raport u potencua ndarja e kohës në televizion për zgjedhjet shtetërore, kanali i dytë i RTK-së në gjuhën serbe, çështja e pazgjidhur e pronës së RTK-së, digjitalizimi i këtij mediumi dhe marrëveshja me Postën e Kosovës, për shfrytëzimin e fibrave optikë të saj.
Sa i përket buxhetit, kryetarja Maliqi tha se ai është shpenzuar në mënyrë racionale dhe nuk është bërë asnjë tejkalim buxhetor.
Komisioni propozoi që në kanalin e dytë të RTK-së të ketë 15 për qind hapësirë edhe për komunitetin shqiptar.
Pas diskutimeve, komisioni miratoi raportin dhe e procedoi tutje në Kuvend.