Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Punë të Jashtme

E Mërkure, 20.06.2018




Komisioni për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike, mbajti sot mbledhjen e radhës, të kryesuar nga Vjosa Osmani, kryetare.

Në mbledhje, i ftuar ishte zv/kryeministri, Enver Hoxhaj, i cili raportoi rreth marrëveshjeve me Maqedoninë Veriore.

Gjatë raportimit, ministri Hoxhaj, tha: "Temë kyçe është lehtësimi i kalimit të pikave kufitare në mes të Kosovës dhe Maqedonisë", ndërkaq njoftoi se është vendosur gurë themeli për ndërtimin e pikës së përbashkët kufitare në Stançiq- Bellanovc.

Ministri në vijim njoftoi se Qeveria e Kosovë me atë të Maqedonisë është duke biseduar për pajisje me leje të posaçme, për banorët e brezit kufitar në anën e Kosovës dhe të Maqedonisë.

Në këtë mbledhje, ministri shpalosi një listë të disa marrëveshjeve për nënshkrim në mes të Kosovës dhe Maqedonisë Veriore, e cila përfshin: Parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm, komunikacionin hekurudhor kufitar, marrëveshje në fushën e kontrollit të mallërave strategjikë, marrëveshje për diasporën, plan bashkëpunimi në mes së ministrisë së FSK-së dhe Ministrisë së Mbrojtjes së Maqedonisë Veriore, bashkëpunim në fushën e inovacionit, marrëveshje lidhur me statusin e anëtarëve të FSK-së dhe Forcave të armatosura të Republikës së Maqedonisë Veriore, marrëveshje në luftën e trafikimit të qenieve njerëzore, marrëveshje të njohjes reciproke të patent-shoferëve, marrëveshje për trafikun lokal ndërkufitar, bashkëpunimin gjyqësor në çështjet civile dhe tregtare, në sektorin e energjetikës, memorandum të inspektoratit të farmaceutikës, si dhe një protokoll për një kalendar të përbashkët kulturor, Kosovë-Maqedoni Veriore.

Ministri foli edhe rreth temave të tjera, siç janë lidhja e Kosovës në sistemin e gazit natyror, përmes vijës TAP, hapja e pikës kufitare në Brod, e cila mund ta lidhë Kosovën me Dibrën, zbritja e çmimit të roamingut, finalizimi i autostradës "Arbën Xhaferi" nga ana e Maqedonisë dhe kurikulat e përbashkëta me Maqedoninë Veriore.

"Do të duhej të ketë një pako të përbashkët turisitke për Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe Shqipëri", deklaroi Hoxhaj, ndërkaq shtoi se, pa njohje të Kosovës nga Serbia dhe Bosnja, ne jemi kundër tregut rajonal pa dogana.

Mbledhja përfundoi, me njoftimin e anëtarëve të Komisionit, rreth një tryeze të përbashkët, e organizuar nga organizatat e shoqërisë civile.

Nga mbledhja e Komisionit për Punë të Jashtme