Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Veseli takon përfaqësues të Korporatës Amerikane që do të hapë 1000 vende të reja pune
E Mërkure, 20.06.2018
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka takuar sot në Prizren përfaqësuesit e Korporatës së njohur Amerikane "Sutherland Global", e cila merret me procesimin e shërbimeve biznesore, e cila ka ardhur të investojë në Kosovë, ndërsa do të hapë mbi 1000 vende të reja pune në fushën e IT-së.
Kryeparlamentari Veseli tha se në kontaktin e tij të parë me këtë kompani i ka inkurajuar drejtuesit e saj që të vijnë dhe investojnë në Kosovë. Sot, tha Veseli, ajo numëron 150 të punësuar, ndërsa brenda dy viteve të ardhshme edhe 1 mijë të tjerë.
"Ne shumë shpejt do të kemi liberalizimin e vizave, por ne duhet të punojmë që rininë ta mbajmë në Kosovë dhe perspektivën ta ketë këtu", theksoi Veseli.
Ai shtoi se Dekada e Re është dekada e teknologjisë informative dhe e të rinjve të Kosovës.
"Sikur këtë kompani, inkurajoj edhe kompani të tjera që të vijne dhe të inestojnë në Kosovë. Kosova ka rini të mrekullueshme, punëtore, të talentuar, optimiste dhe kreative", theksoi kryeparlamentari Veseli.
Zv/drejtori i kompanisë, Ks Kumar, tha se të gjitha shërbimet që ofron kjo kompani u ofrohen kompanive më të mëdha në botë. Ai tha se ndihet i kënaqur që për katër muaj të operimit të saj në Kosovë, kompania ka arritur të punësojë 150 të reja dhe rinj kosovarë.
"Falëderoj kryetarin e Kuvendit për pritjen dhe për mbështetjen e ofruar. Ky është vetëm fillimi. Besoj që për një periudhë prej 18-24 muaj, do të jemi në gjendje të ofrojmë edhe 1 mijë vende të reja pune për kosovarët", theksoi Kumar.
Ai shprehu besimin se me mbështetjen e institucioneve do te krijohen vende të mira pune dhe do të organizohen trajnime për të rinjtë, të cilët do të jenë të gatshëm për këto vende pune.