Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Buxhet
E Mërkure, 20.06.2018
Komisioni për Buxhet dhe Financa, në mbledhjen e sotme të kryesuar nga Lumir Abdixhiku, kryetar, shqyrtoi tri raporte, si dhe një mori projektligjesh me amendamente të komisioneve përkatëse.
Në këtë mbledhje, Komisioni shqyrtoi dhe përkrahu edhe Qarkoren e parë buxhetore 2019/01 të Kuvendit të Kosovës, të cilën para komisionit e paraqitën dhe arsyetuan drejtori i Administratës së Kuvendit, Emrush Haxhiu së bashku me drejtorin e financave, Istret Azemi.
Ndërkaq, raportet e shqyrtuara dhe të miratuara nga komisioni gjatë kësaj mbledhjeje janë: Raporti vjetor financiar i Komisionit të Pavarur për Media (KPM) për vitin 2017, Raporti vjetor financiar i Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM) për vitin 2017 dhe Raporti vjetor financiar i Autoritetit Rregullativ për Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) për vitin 2017. Raportet i paraqitën përfaqësuesit përkatës të këtyre institucioneve, përkatësisht, Arben Bilalli, drejtor i Administratës së KPM-së, kryetari i Bordit të KPMM-së Musa Shabani dhe Kreshnik Gashi, kryesues i Bordit të ARKEP-it.
Gjatë shqyrtimit të këtyre raporteve ishin të pranishëm edhe përfaqësuesit e Zyrës Kombëtare të Auditimit, të cilët paraqitën të gjeturat dhe rekomandimet lidhur me raportet.
Në vijim të mbledhjes, Komisioni shqyrtoi dhe përkrahu edhe këto projektligje, për të cilat vlerësoi se miratimi i tyre nuk paraqet kosto të papërballueshme për buxhetin e shtetit. Projektligjet e miratuara në komision janë: Projekt-kodi nr. 06/L-006 i Drejtësisë për të Mitur dhe amendamentet e Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, Projektligji nr. 06/L-042 për Gjak dhe Përbërës të Gjakut dhe amendamentet e Komisionit funksional për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, Projektligji nr. 06/L-040 për Masat Mbrojtëse në Importe dhe amendamentet e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal, Projektligji nr. 06/L-038 për Shërbimet Postare dhe amendamentet e komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim rajonal, Projektligji nr. 06/L-046 për Inspektoratin e Arsimit në Republikën e Kosovës dhe amendamentet e Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sport, Inovacion dhe Ndërmarrësi dhe Projektligji nr. 06 /L-010 për Noterinë dhe amendamentet e Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit.