Lajmet e fundit
Vazhdimi i seancës plenare
E Marte, 19.06.2018
Kuvendi i Republikës së Kosovës, vazhdoi sot punimet me pikat e papërfunduara më 14 qershor 2018.
Seanca, e drejtuar nga nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti, vazhdoi me interpelancën e ministres së Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, të thirrur nga GP i LDK-së, në lidhje me zbatimin e Programit Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, për kuartalin e katërt 2017 dhe kuartalin e parë 2018.
Kryetari i GP të LDK-së, Avdullah Hoti, duke arsyetuar thirrjen e kësaj interpelance, tha se Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit është marrëdhënia e parë kontraktuale e Kosovës me BE-në, e cila përcakton rrugën që Kosova duhet të kalojë deri në anëtarësimin e plotë në BE. Prandaj, ai shtoi se zbatimi i kësaj marrëveshjeje është jetike për të ardhmen e vendit tonë.
Ai kërkoi nga ministrja Hoxha informacione lidhur me zbatimin e MSA-së.
Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, në daljen e saj para deputetëve tha se Kosova është në prag të liberalizimit të vizave dhe se ajo tanimë është pjesë e programeve të BE-së, në nivelin e barabartë me të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor.
"BE-ja dhe Kosova kanë dakorduar asistencë zhvillimore për të përkrahur sundimin e ligjit, zhvillimin ekonomik dhe rritjen e mirëqenies së qytetarëve në vlerë prej 645milionë për periudhën 2014-2020", theksoi ministrja Hoxha.
Ajo tha se gjatë tremujorit të parë të vitit 2018, është arritur një shkallë e përgjithshme e zbatimit të programit, prej 53.58%, pasi që, sipas saj, 21 nga 39 masat e planifikuara për këtë tremujor, janë zbatuar.
Ndërsa në emër të grupeve parlamentare diskutuan deputetët: Ilir Deda (LDK), Elmi Reçica (PDK), Fitore Pacolli-Dalipi (LVV), Shqipe Pantina (PSD), Ahmet Isufi (AAK) dhe Bilall Sherifi (Nisma).
Avdullah Hoti paraqiti në fund rekomandimet, harmonizuara me grupet e tjera parlamentare, në lidhur me interpelancën e ministres së Integrimit Evropian.
Kuvendi vazhdoi punimet me shqyrtimin e Projektligjit për aktet juridike, të cilin para deputetëve e prezantoi Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri.
Gjatë fjalës së tij, ministri Tahiri theksoi rëndësinë e këtij projektligji dhe prezantoi aspekte përmbajtësore të tij.
Përfaqësues të grupeve parlamentare dhe deputetë të tjerë diskutuan lidhur me projektligji, dukë dhënë njëkohësisht, propozime konkrete në funksion të përmirësimit të përmbajtjes së tij.
Kuvendi gjithashtu shqyrtoi edhe katër projektligje: Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tatimin në të ardhurat personale, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tatimin në të ardhurat e korporatave, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tatimin në vlerën e shtuar, si dhe Projektligjin për miniera dhe minerale.
Në këtë seancë u shqyrtua edhe raporti vjetor financiar për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2017, raporti vjetor i Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës, raporti vjetor i Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore, si dhe raporti vjetor i Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
Kuvendi ndërpreu punimet për sot, ndërsa për vazhdimin e seancës do të vendosë Kryesia e Kuvendit.