Lajmet e fundit

Komisioni për Arsim... mbajti tryezë lidhur me prioritetet në fushën e arsimit parauniversitar

E Marte, 19.06.2018




Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, rini, Sporte, Inovacione dhe Ndërmarrësi, i kryesuar nga Ismajl Kurteshi, kryetar, mbajti sot tryezë lidhur me prioritetet në fushën e arsimit parauniversitar në Kosovë.

Anëtarë të komisionit parlamentar, ministri i Arsimit, përfaqësues të Sindikatës së Arsimit e të organizatave të ndryshme që kanë në fokus çështjet e arsimit, diskutuan lidhur me sfidat me të cilat përballet sot arsimi parauniversitar në Kosovë dhe për mundësitë e daljes nga kjo gjendje.

Diskutuesit në këtë tryezë vlerësuan se buxheti jo i mjaftueshëm për sektorin e arsimit është një ndër arsyet se pse gjendja në këtë fushë nuk është e mirë.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqeri Bytyqi, paraqiti prioritetet e Strategjisë për Arsim, prioritete këto për të cilat ai tha se kanë nevojë për buxhet. Bytyçi tha se në shtator do të fillojë matja e performancës së mësimdhënësve, mirëpo sipas tij, përveç buxhetit, evidente është edhe mungesa e inspektorëve.

Duke folur për librat shkollorë, Bytyçi tha se edhe për to duhet buxhet shtesë, ndërsa shtroi nevojën që ato të kenë standard të lartë përmbajtësor.

Edhe Boris Scharloëski nga organizata GIZ, tha se për të arritur reformat e nevojshme në arsim nevojitet buxhet shtesë. Ai shtoi se vetëm me reformim të arsimit në Kosovë do të mund të përmirësohej e ardhmja dhe zhvillimi ekonomik i Kosovës.

Ai tha se arsimi i sotëm e formëson të ardhmen e Kosovës dhe kjo do ta ndihmojë zhvillimin ekonomik të Kosovës. Sipas tij, ofrimi i cilësisë së lartë në arsim nuk është luks, por obligim, të cilit i përkushtohen të gjitha vendet.

Kryetari i Komisionit për Arsim, Ismajl Kurteshi, tha se qëllimi i kësaj tryeze është që të krijohet hapësirë për të gjithë për të ndihmuar në përmirësimin e situatës në arsim.

Ai tha se kompetencat jo mirë të ndara midis institucioneve, mos vlerësimi i përgjegjësisë së nxënësve dhe mësimdhënësve, janë vetëm disa nga problemet që duhet të zgjidhen.

"Problem në vete është edhe mos definimi i prerë i kompetencave mes ministrisë dhe komunave. Mungesa e mjeteve të nevojshme financiare dhe serioziteti në kryerjen e obligimeve nga përgjegjësitë, është sfidë në vete që kërkon zgjidhje", theksoi Kurteshi.

Kryetari SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ndërkaq, bëri thirrje që sa më shpejt të miratohet Projektligji për mësimdhënësit e viteve të 90-ta.

Me diskutimet e tyre kontribuuan edhe pjesëmarrës të tjerë të kësaj tryeze.

 

Komisioni për Arsim... mbajti tryezë lidhur me prioritetet në fushën e arsimit parauniversitar