Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Punë të Jashtme
E Marte, 12.06.2018
Komisioni për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike, nën kryesimin e kryetares Vjosa Osmani, ka mbajtur sot mbledhjen e radhës, në të cilën ka raportuar zv/kryeministri i parë, njëherësh ministër i Ministrisë së Punëve të Jashtme (MPJ) i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli.
Raporti i ministrit Pacolli kishte të bënte me procesin e njohjeve, procesin e aplikimit në Këshillin e Evropës, Procesin e Berlinit, për emërimet në shërbimin e jashtëm, si dhe procesin e rotacionit.
Lidhur me këto çështje, ministri Pacolli, vuri në dukje angazhimin e tyre dhe sfidat që janë duke hasur gjatë aktiviteteve diplomatike. Ai përmendi një mori takimesh me përfaqësues shtetesh dhe qeverish të ndryshme, ndërkaq, u shpreh optimist se rezultatet do të jenë të prekshme.
Duke folur për sfidat në angazhimin e tyre, kryediplomati kosovar Pacolli, bëri të ditur se shteti serb është duke u përpjekur që, shtetet të cilat e kanë njohur Kosovën, t'i bind ato që ta tërheqin njohjen. Për të arritur këtë qëllim tha ai, Serbia është duke investuar mjete dhe asete të shumta shtetërore.
Në vijim ministri bëri të ditur edhe për gjendjen e shërbimit diplomatik në kuadër të ministrisë, si dhe për ecurinë e emërimit të ambasadorëve. Lidhur me këtë ai premtoi para komisionit se reformimi i plotë MPJ-së do të kryhet deri në fund të mandatit të tij si ministër.
Gjatë takimit ministri u është përgjigjur pyetjeve dhe shqetësimeve që ngritën anëtarët e komisionit.