Lajmet e fundit

Kuvendi mbajti mbledhje komemorative në nderim të figurës së Fadil Vokrrit

E Diel, 10.06.2018




Kuvendi i Republikës së Kosovës është mbledhur sot për të përkujtuar figurën, jetën dhe veprën e ish-futbollistit të njohur të Kosovës, së fundi kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrrit, i cili ndërroi jetë të premten.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, gjatë fjalës së tij, tha se lajmi për vdekjen e papritur të Fadil Vokrrit ishte tronditës.

Kreu i Kuvendit tha se Fadili ishte sinonim i gëzimeve tona, i lajmeve të mira për Kosovën, i gjërave të bukura të vendit tonë, i shpresave për një Kosovë që bën historinë në fushën e gjelbër të sportit më të bukur në botë, futbollit, dhe para së gjithash, Fadil Vokrri ishte sinonim i njeriut të ndershëm të Kosovës. Prandaj, ai tha se dhimbja është e madhe, ndërsa humbja është kombëtare.

"Kemi humbur legjendën e futbollit tonë, në kohën kur më se shumti kërkohej përkushtimi, profesionalizmi dhe atdhedashuria sportive e tij. Ne do ta vazhdojmë ëndrrën e tij, duke mundësuar që të rinjtë e Kosovës të luajnë në kampionatet e futbollit botëror, të shënojnë gola për ta nderuar vendin tonë dhe kujtimin heroit të futbollit tonë, Fadil Vokrrit", tha kryeparlamentari Veseli.

Kryeministri Ramush Haradinaj tha se të gjithë janë prekur nga vdekja e Fadil Vokrrit dhe jo vetëm sportdashësit. Ai tha se Vokrri ishte një njeri shpirtbardhë, dhe është meritë e tij që Kosova u rikthye në familjen e futbollit botëror.

"Ai ishte një njeri shpirtbardhë që i gëzohej lajmeve të mira për të gjithë. Ai i ka mbijetuar një krenarie të sportit edhe në kohëra më të vështira. Ai u kthye për t'i dhënë përkrahjen sportit dhe në periudhën e re të shtetndërtimit. Falë tij Kosova u kthye në shtëpinë e futbollit. Ndarja si kjo nuk është e lehtë. Ju siguroj familja e Vokrrit se nuk jeni të vetëm në dhimbjen tuaj, sepse Fadili ishte i të gjithëve", theksoi kryeministri Haradinaj.

Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, tha se Fadili iku në kohën kur gradualisht dhe sigurt po ndërtonte themelin e përfaqësueses së Kosovës.

"Na ike Fadil nga Federata e Futbollit të Kosovës, kur federatën e bëre një organizatë me integritet duke e futur në familjen e UEFA-s dhe FIFA-s. Na ike Fadil kur Komiteti Olimpik kishte shumë nevojë për përvojën tënde. Ike herët Fadil, por le gjurmë të pashlyeshme si njeri me inteligjencë të rrallë. Po të përcjellim me zemër të thyer por krenar që bashkëjetuam në kohë të njëjtë", tha Hasani.

Në emër të Federatës së Futbollit të Kosovës, sekretari Eroll Salihu tha se të gjithë duhet të jemi krenarë për atë që ka bërë Fadil Vokrri.

"Fadil Vokrri na la me thjeshtësinë e pashoq që e karakterizoi. Jep gol dhe ec tutje, publiku e përgëzonte, por ai gjithmonë qëndronte pa mburrje dhe pa u lëvduar. Sukseset e tij janë përcjellë me brohoritje dhe vlerësim", tha sekretari i FFK-së, Eroll Salihu.

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka, e cilësoi Vokrrin si futbollistin më të madh të të gjitha kohërave.

"Vokrri është futbollisti më i madh i të gjitha kohërave. Figura e tij i ka kapërcyer trevat. Ka luajtur futboll në Kosovë, Jugosllavi e nivele edhe më të larta. Dhe po të kishte mundësi do të arrinte më shumë", tha Duka.

Ai shtoi se Vokrri kontribuuar shumë në konsolidimin dhe njohjen e Kosovës.

"Fadili nuk ishte diplomat, atë që mendonte ta thoshte troç. Një burrë i vërtetë, një njeri i vlerave të kombit shqiptar. Me vjen keq që duhet të ndahemi, por me krenari do të them që kam qenë mik i Fadil Vokrrit. U prefsh ne paqe miku im Fadil", tha Duka.

Në fund, fjalën e mori i biri i Fadil Vokrrit, Gramoz Vokrri, i cili tha se babai i tij ishte i gjithë Kosovës dhe se është shumë e vështirë të përshkruhet një person si ai.

"Është e vështirë ta përshkruaj babanë tim, sepse besoj që vepra e tij flet vet. Fadil Vokrri nuk ishte vetëm i yni. Ai ishte i gjithë Kosovës. I qoftë i lehtë dheu i Kosovës", u shpreh i biri i Fadil Vokrrit.

Para mbledhjes, personalitete të politikës, sportit, simpatizantë të ish-futbollistit Fadil Vokrri dhe qytetarë të tjerë të shumtë, në hollin e Kuvendit të Kosovës kanë bërë homazhe para arkivolit të Fadil Vokrrit, të cilësuar tashmë figura më emblematike e futbollit dhe sportit të Kosovës në përgjithësi.

Homazhe bëri edhe presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta.

 

Kuvendi mbajti mbledhje komemorative në nderim të figurës së Fadil VokrritKuvendi mbajti mbledhje komemorative në nderim të figurës së Fadil VokrritKuvendi mbajti mbledhje komemorative në nderim të figurës së Fadil VokrritKuvendi mbajti mbledhje komemorative në nderim të figurës së Fadil VokrritKuvendi mbajti mbledhje komemorative në nderim të figurës së Fadil VokrritKuvendi mbajti mbledhje komemorative në nderim të figurës së Fadil VokrritKuvendi mbajti mbledhje komemorative në nderim të figurës së Fadil VokrritKuvendi mbajti mbledhje komemorative në nderim të figurës së Fadil VokrritKuvendi mbajti mbledhje komemorative në nderim të figurës së Fadil VokrritKuvendi mbajti mbledhje komemorative në nderim të figurës së Fadil Vokrrit