Lajmet e fundit
Për nder të 140 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit Kuvendi mbajti seancë solemne
E Diel, 10.06.2018
Deputetët e Kuvendit të Kosovës, përfshirë edhe ata të legjislaturës së tretë, nënshkrues të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës (17 shkurt 2008), u mblodhën sot në nj seancë solemne për të shënuar 140 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Kjo seancë është mbajtur në kryeqytetin historik të Kosovës, në Prizren, përkatësisht në Kompleksin Monumental të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Fillimi i kësaj seance solemne ka nisur me intonimin e himnit shtetëror, e më pas edhe atij kombëtar.
Pas kësaj, të pranishmit e kësaj seance: presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi, përfaqësues të familjes Jashari e Boletini, e shumë mysafirë të tjerë, me një minutë heshtje kanë nderuar Fadil Vokrrin, ish kryetarin e Federatës së Futbollit të Kosovës, i cili dje ka ndërruar jetë.
Në vijim, me një fjalë rasti të pranishmëve u është drejtuar kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, i cili ndër të tjera tha:" Qershori është muaji i ngjarjeve të mëdha të historisë sonë kombëtare.
140 vite më parë, në këtë vend ku qëndrojmë sot, u mblodhën përfaqësuesit e të gjithë trevave shqiptare.
Një barrë e madhe qëndronte mbi supet e tyre. Ishte kohë e vështirë. Ballkani ishte i trazuar si asnjëherë më parë. Perandoria Osmane po jepte shenjat e rënies së pashmangshme. Popujt po zgjoheshin. Evropa po jetonte pranverën e kombeve. Secili kërkonte vendin dhe të drejtat e tij në gjeopolitikën e re që po ndërtohej. Ishte koha që edhe shqiptarët të zgjoheshin, sa më parë që ishte e mundur".
Çdo vonesë, tha më pas kryeparlamentari Veseli, mund të kishte pasoja të pariparueshme historike, sepse rreziqet ishin të mëdha dhe në qendrat politike të Evropës nuk ekzistonte termi "Çështje shqiptare".
Kreu i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, vlerësoi se në rrethanat e asaj kohe, burrat e mbledhur në Prizren kishin përpara dy sfida të rënda historike : të dëshmonin para Fuqive Evropiane dhe Perandorisë Osmane ekzistencën e Kombit Shqiptar, si dhe të mbronin me çdo kusht të drejtat e tij legjitime politike, ndërkaq, më pas shtoi:" Të udhëhequr nga diplomacia e Abdyl Frashërit, nga urtësia e Ymer Prizrenit dhe guximi luftarak i Sylejman Vokshit, Lidhja e Prizrenit i arriti qëllimet e saj, ndonëse me pasoja shumë të rënda.
Lidhja e Prizrenit i humbi betejat ushtarake me vendimet e Kongresit të Berlinit dhe me garnizonet e Dervish Pashës që dogjën Kosovën në pranverën e vitit 1881, por ajo arriti një fitore tjetër, shumë herë më të madhe : themeloi Vetëdijen Kombëtare Shqiptare, krijoi standardet e patriotizmit modern shqiptar dhe platformën e programit për çlirim e pavarësi kombëtare".
Pa Lidhjen e Prizrenit, tha më tej ai, nuk do ta kishim 28 nëntorin e vitit 1912 e as Lëvizjen Kombëtare për Çlirimin e Kosovës, e cila arriti kulminacionin historik me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, çlirimin dhe shpalljen e pavarësisë në shkurtin e vitit 2008.
Në fund të fjalës së tij, kryeparlamentari Kadri Veseli u shpreh:" Si asnjëherë më parë në histori, siguria dhe liria e kombit tonë janë të qëndrueshme, të garantuara dhe të pacenueshme. Ne jemi krenarë që jemi pasardhës të burrave të Lidhjes së Prizrenit. Jemi krenarë që ecëm shtigjeve të hapura prej tyre. Krenarë që e vazhduam deri në fitore ëndrrën e tyre".
Të pranishmëve gjatë kësaj seance solemne u është drejtuar edhe kryeministri Qeverisë së Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili Lidhjen Shqiptare të Prizrenit e vlerësoi si frymëzim për të rrugëtuar dhe marrë vendime të duhura në udhëkryqet historike.