Lajmet e fundit
Vazhdimi i seancës plenare
E Premte, 08.06.2018
Kuvendi i Republikës së Kosovës, i drejtuar nga nënkryetari Xhavit Haliti, vijoi sot punimet me interpelancën e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, në lidhje me korrupsionin dhe krimin e organizuar në institucionet dhe zyrtarët e lartë të Republikës së Kosovës.
Fitore Pacolli-Dalipi, duke arsyetuar kërkesën për interpelancë, përmendi një varg, siç i cilësoi ajo, ndërhyrjesh të qeverisë në sistemin e drejtësisë. Ajo kërkoi që kryeministri të japë dorëheqje, nëse nuk mund të frenojë, sipas saj, veten dhe qeverinë nga këto ndërhyrje.
Ndërsa në emër të grupeve parlamentare diskutuan deputetët: Armend Zemaj (LDK), Hajdar Beqa (PDK), Shqipe Pantina (PSD), Muharrem Nitaj (AAK), Enver Hoti (Nisma) dhe Allbert Kinolli (6+).
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në daljen e tij para deputetëve, tha se gjendja sa i përket rendit dhe ligjit në Kosovë nuk është e kënaqshme dhe si e tillë është sfidë për Kosovën, veçanërisht luftimi i llojeve të ndryshme të krimit dhe korrupsionit.
Ai tha se fokusi kryesisht ka shkuar në ndihmë të institucioneve të rendit dhe të ligjit që t'i ushtrojnë funksionet e veta në bazë të mandatit të tyre kushtetues e ligjor. Haradinaj tha se Kosova lëvizur pozitivisht në luftimin e këtyre dukurive negative.
Debati vijoi me diskutime të deputetëve të tjerë, ndërsa kryeministri disa herë doli në foltore për t'u përgjigjur dhe për të dhënë sqarimet e nevojshme në pyetjet e shtruara dhe problematikat e ngritura nga deputetët.
Fitore Pacolli-Dalipi, paraqiti në fund rekomandimet nga interpelanca e thirrur për kryeministrin Haradinaj lidhur me korrupsionin dhe krimin e organizuar në institucionet dhe zyrtarët e lartë të Republikës së Kosovës.
Edhe pse interpelanca e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, në lidhje me situatën dhe gjendjen financiare në ndërmarrjet publike të Postës dhe Telekomit të Kosovës është një, me kërkesë të dy grupeve parlamentare GP-LVV dhe të GP-LDK, u kërkua që arsyetimet të bëheshin më vete, respektivisht në emër të GP të LVV-je e bëri Albin Kurti, ndërsa në emër të GP të LDK-së LumirAbdixhiku.
Kryeministri Haradinaj, duke bërë arsyetimin e situatës dhe gjendjen financiare në ndërmarrjen publike të Postë-Telekomit të Kosovës, tha menaxhimi qenë i dobët dhe situata ekonomike e këtyre ndërmarrjeve është e vështirë. Ai tha se tani po bëhet përpjekje për një skanim të vërtetë të situatës aktuale për të ndalur rrënimin e mëtejshëm dhe për të krijuar mundësinë për daljen nga situata.
Pothuajse të gjithë deputetët që e morën fjalën theksuan gjendjen e rëndë të Postës dhe Telekomit. Kishte deputetë që shprehën mendime pozitive për daljen nga gjendja, por edhe përmendën emra konkretë dhe i kërkuan kryeministrit të bëjë kallëzime penale.
Pasi reshtën diskutimet e deputetëve, kryeministri Haradinaj shtoi se bashkërisht me deputetët, do të bahen përpjekje për të nxjerrë Postë-Telekomin e Kosovës nga kjo gjendje e rëndë.
Pas kësaj, drejtuesi i seancës kërkoi që punimet të vijojnë me interpelancën tjetër. Por me kërkesë të iniciuesit, GP të LDK-së u vendosë që kjo interpelancë të shtyhet.