Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, barazi gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione
E Mërkure, 06.06.2018
Komisioni, në mbledhjen e sotme, të kryesuar nga Duda Balje, kryetare, mbajti mbledhjen e rregullt, në të cilën u prezantua Plani i përbashkët i punës së Komisionit qeveritar për persona të pagjetur.
Në këtë mbledhje, krahas anëtarëve të Komisionit, morën pjesë edhe përfaqësuesit e Qeverisë së republikës së Kosovës, përkatësisht kryetari i Komisionit qeveritar për persona të pagjetur z. Prenk Xhetaj, si dhe këshilltari i kryetarit të Qeverisë së Kosovës, i cili njëkohësisht është i angazhuar për çështje të personave të pagjetur z. Jahja Luka, përfaqësuesit e OKB-së, DNJ dhe KDI-së.
Në fjalimin e dijë, z. Luka theksoi se Ligji ekzistues për persona të pa gjetur nuk i përmbushje pritjet dhe dëshirat e familjeve të personave të pa gjetur, prandaj Qeveria e Kosovës së bashku me Komisionin qeveritar për persona të pa gjetur ka formuar një grup pune, që do të punojë në ndryshimin dhe plotësimin e këtij Ligji. Në vazhdim, z. Luka ka theksuar se në fund të këtij muaji në Podgoricë do të takohen delegacionet e komisioneve qeveritare për persona të pa gjetur të rajonit dhe në këtë takim do të nënshkruhet Marrëveshja, që do të obligojë që sa më parë të gjendet një zgjidhje për çështjen e personave të pa gjetur në rajonin e Ballkanit. Në fund z. Luka ka theksuar se më 9 korrik të këtij viti, në Londër, nën patronatin e princit Çarls, do të mbahet Konferenca ndërkombëtare për persona të pa gjetur dhe pritet që në këtë konferencë do të nënshkruhet Deklarata e përbashkët, e cila do të ndihmojë për të gjetur mundësi për bashkëpunim më të frytshëm në mesë të komisioneve qeveritare për persona të pagjetur me qëllim të zbardhjes së rasteve të personave të pagjetur, në tërë rajonin e Ballkanit
Anëtarët e Komisionit parashtruan pyetje të shumta për z. Jahja Luka, në të cilat ai u përgjigj detajisht.