Lajmet e fundit
Nga vazhdimi i seancës plenare
E Mërkure, 06.06.2018
Kuvendi i Republikës së Kosovës, vijoi sot punimet me vazhdimin e seancës së djeshme.
Kuvendi vijoi punimet me shqyrtimin e parë të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Transportin Rrugor, Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për transportin tokësor të mallrave të rrezikshme, Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për rregullat e trafikut rrugor, Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për patentë shofer, Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Rrugë, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 03/L-120, si dhe Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Hekurudhat e Kosovës.
Arsyetimin e të gjitha këtyre projektligjeve e bëri ministri Pal Lekaj, ndërsa në emër të komisionit funksional për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal, arsyetimin e bënë Sala Berisha Shala dhe Dardan Sejdiu. Të gjithë përfaqësuesit që morën fjalën në emër të grupeve parlamentare, u dhanë përkrahje këtyre projektligjeve.
Më pas drejtuesi i seancës vijoi punimet me shqyrtimin e Projektligjit për aktet juridike, për të cilin qeveria nuk kishte përfaqësues për të bërë arsyetimin, ndërsa arsyetimin në emër të Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit e bëri deputetja Albulena Haxhiu, e cila ndër të tjera tha se komisioni nuk i ka dhënë mbështetjen këtij projektligji dhe nuk e përkrah.
Më tej u kalua në shqyrtimin e parë të Projektligjit për Kompleksin Memorial "Adem Jashari" në Prekaz. Edhe për këtë projektligj arsyetimi u bë vetëm në emër të komisionit funksional, nga GanimeteMysliu. Pas deklarimeve në emër të grupeve parlamentare, përfaqësuesit shprehën përkrahjen për këtë projektligj.
Pas përfundimit të shqyrtimit në lexim të parë të projektligjeve, puna vijoi me shqyrtimin e raporteve. Fillimisht u shqyrtua Raporti i Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, në lidhje me mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për shërbime sociale dhe familjare dhe Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për shërbime sociale dhe familjare.
Kryetarja e komisionit, Besa Baftiu, bëri arsyetimin e këtij raporti dhe paraqiti disa rekomandime. Në përfundim të fjalës së saj kërkoi mbështetjen e deputetëve për miratimin e këtij raporti dhe rekomandimeve të paraqitura. Po kështu u shqyrtua edhe Raportit vjetor i Agjencisë kundër Korrupsionit për vitin 2017.
Pas pushimit, Kuvendi vijoi punimet me votimin e Projekt-kodit Penal të Republikës së Kosovës, Projektligjit për institucionet mikrofinanciare dhe institucionet financiare jobankare, Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Transportin Rrugor, Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për transportin tokësor të mallrave të rrezikshme, Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për rregullat e trafikut rrugor, Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për patentë shofer, Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Rrugë, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 03/L-120; projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Hekurudhat e Kosovës, si dhe Projektligjit për Kompleksin Memorial "Adem Jashari" në Prekaz, të cilat u miratuan në parim.
Gjithashtu u miratua edhe Projekt-Rezoluta me rekomandimet nga interpelanca e kryeministrit Haradinaj, sipas kërkesës së GP LDK-së, në lidhje me vendimin e Qeverisë së Kosovës nr. 02/34, të datës 05.03.2018, për ndarjen e mjeteve financiare në shumën prej një milion euro për KOSTT-in.
Pas shqyrtimit të raporteve të tjera, Kuvendi kaloi në votimin e tyre dhe miratoi raportin e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, në lidhje me mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për shërbime sociale dhe familjare dhe Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për shërbime sociale dhe familjare, raportin vjetor të Agjencisë kundër Korrupsionit, raportin vjetor të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, raportin vjetor të statistikave zyrtare dhe raportin vjetor të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (të gjitha raportet janë për vitin 2017).
Menjëherë pas votimit të raporteve Kuvendi kaloi në formimin e Komisionit ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një anëtar të Komisionit të Pavarur të Mediave nga radhët e komuniteteve jo shumicë dhe pas formimit, u kalua në votim të fshehtë. Me 45 vota, Kuvendi zgjodhi Bislim Zogajn drejtori të Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës, ndërsa nuk arriti të emërojë anëtarin e Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës. Për këtë konkurrimi do të përsëritet, pasi asnjë kandidat nuk fitoi numrin e nevojshëm të votave.
Për mungesë të kuorumit kryetari i Kuvendit ndërpreu seancën, duke theksuar se votimi i raportit vjetor të Organit Shqyrtues të Prokurimitpër vitin 2017 dhe raportit vjetor të Akademisë së Drejtësisë për vitin 2017, si dhe propozimi i grupeve parlamentare për zëvendësimin e anëtarëve në komisionet parlamentare, do të procedohen në vazhdimin e seancës ditën e premte, në orën 11:00.