Lajmet e fundit
Seanca plenare
E Marte, 05.06.2018
Kuvendi i Republikës së Kosovës, i drejtuar nga nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti, filloi punimet me seancën e re. Në dy pikat e zakonshme të rendit të ditës, koha për deklarime jashtë rendit të ditës, shumë deputetë e morën fjalën në emër të grupeve parlamentare dhe ngritën çështje shqetësuese për probleme të ndryshme.
Ndërsa lidhur me Pyetjet parlamentare, përgjigje pyetjeve të deputetëve iu dhanë vetëm ministrat Uran Ismaili dhe Skender Reçica, të pranishëm në sallë.
Para se të vijohej më tej u bënë dy deklarime, për të cilat u deklaruan të gjitha grupet parlamentare: shtyrja e dy interpelancave për shkak të mungesës së kryeministrit, si dhe kërkesa e Listës serbe për heqjen nga rendi i ditës i pikës 16, shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Lirinë Fetare në Kosovë. Të dyja kërkesat me votim u miratuan.
Më tej Kuvendi vijoi punimet me shqyrtimin e parë të Projekt-kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, paraqiti punën e kryer për këtë projekt-kod dhe ndryshimet që kanë ndodhur. Ai theksoi se do ketë amendamente të shumta për këtë projekt-kod, por nuk duhet ndryshuar struktura e tij. Ai dha sqarime të shpeshta gjatë debateve të deputetëve. Duke premtuar se do të punojë bashkërisht me deputetët për ta çuar përpara këtë projekt-kod, kërkoi miratimin në parim të tij.
Arsyetimin e Projektligjit për institucionet mikrofinanciare dhe institucionet financiare jobankare, e bëri ministri i Financave, Bedri Hamza. Debatet më të gjata u zhvilluan lidhur me konceptin e fondeve për shoqatat, OJQ-të, të cilat kanë krijuar fonde dhe tashmë si duhet të veprohet me fondet e tyre, pasi bëhet fjalë për një fond prej rreth 30 milion eurosh.
Pasi reshtën debatet, drejtuesi i seancës për mungesë kuorumi, e mbylli atë, për të vijuar nesër në orën 10:30.