Lajmet e fundit

U mbajt takimi lidhur me arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm të Agjendës 2030

E Marte, 05.06.2018




Në vazhdën e zbatimit të Rezolutës për Miratimin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm (OZHQ) - Agjenda 2030, të miratuar nga Kuvendi i Kosovës, është mbajtur sot takimi midis përfaqësuesve të Kuvendit, agjencive të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Zyrës së Kryeministrit, Asociacionit te Komunave të Kosovës, Agjencisë Kosovare për Statistika dhe institucioneve e organizatave të tjera, lidhur me krijimin e mekanizmit ndër-institucional për arritjen e Objektivave për Zhvillim të Qëndrueshëm.

Në emër të kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, këshilltarja Valdete Idrizi theksoi përkushtimin dhe mbështetjen e kreut të Kuvendit për zbatimin e Rezolutës, si dhe për nismën lidhur me krijimin e këtij mekanizmi ndër-institucional.

Besa Baftiu, kryetare e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, njëherësh kryesuese e këtij takimi, tha se OZHQ-të do të jenë udhërrëfyes i mirë për institucionet e Kosovës për zhvillim të brendshëm, ndërsa theksoi rëndësinë që Kosova të dëshmojë zotimin për t'iu bashkuar shteteve të tjera në procese të përbashkëta zhvillimore ndërkombëtare.

Koordinatorja për Zhvillim e OKB-së dhe Përfaqësuese e Përhershme e UNDP-së në Kosovë, Ulrika Richardson, tha se Kosova i ka të gjitha elementet për arritjen e objektivave, ndërsa theksoi nevojën e angazhimit të të gjitha niveleve të pushtetit për zbatimin e rezolutës. Po ashtu, Richardson theksoi rëndësinë e miratimit të rezolutës nga ana e Kuvendit të Kosovës, si dhe të aplikimit të përvojave të parlamenteve të vendeve të tjera lidhur me arritjen e OZHQ-ve.

"Pa paqe nuk ka zhvillim dhe pa zhvillim nuk ka paqe", theksoi Richardson.

Sekretari i përgjithshëm i Kuvendit, Ismet Krasniqi, në fjalën e tij para të pranishmëve, tha se OZHQ-të kërkojnë sinergji, për të cilën Kuvendi do të ketë një rol shumë të rëndësishëm të koordinimit të politikave vendore drejt zbatimit të Agjendës 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm. Sekretari Krasniqi tha se administrata do të kryej punën e saj për një Kuvend sa më funksional dhe të përgjegjshëm karshi proceseve të ndërlidhura me OZHQ-të, nëpërmjet mbështetjes profesionale.

Përkitazi me temën, diskutuan edhe deputetë dhe drejtues të komisioneve parlamentare: Mexhide Mjaku-Topalli, Duda Balje, Blerta Deliu-Kodra, Ismajl Kurteshi dhe Albulena Haxhiu, kryesuesit e agjencive të OKB-së në Kosovë: Flora Macula nga UNWOMEN, Brandao Co nga UNICEF, Diego Carrido nga Banka Boterore, Visare Mujko Nimani nga UNFPA, Sazan Ibrahimi nga Asociacioni i Komunave të Kosovës, Ibrahim Rrustemi, përfaqësues nga Agjencia e Statistikave të Kosovës dhe Vedat Sagonjeva, u.d. Drejtor për Planifikim Strategjik pranë Zyrës së Kryeministrit.

U mbajt takimi lidhur me arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm të Agjendës 2030U mbajt takimi lidhur me arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm të Agjendës 2030