Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Integrime Evropiane
E Marte, 05.06.2018
Komisioni për Integrime Evropiane, në mbledhjen e mbajtur sot, të kryesuar nga Blerta Deliu-Kodra, kryetare, ka shqyrtuar tri projektligje, me amendamente të komisioneve funksionale.
Komisioni u dha mbështetje: Projektligjit për miniera dhe minerale, Projektligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje, si dhe atij për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, me amendamentet e propozuara nga komisionet, duke vlerësuar përputhshmërinë e tyre me legjislacionin e BE-së.
I pranishëm në këtë mbledhje ishte edhe ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, i cili raportoi për zbatimin e Programit Kombëtar për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim - Asociimit.
"Ne kemi bërë shumë punë në përafrimin e legjislacionit me BE-në. Disa në koncept dokumente disa janë në lexim të parë dhe disa janë në përfundim", theksoi ministri Hasani.
Ndër të tjera, në këtë mbledhje u diskutua për cilësinë e naftës në Kosovë, numrin e inspektorateve, misionin e konkurrencës, lëvizjen e lirë të mallrave, doganat dhe favorizimin e prodhuesve vendorë.