Lajmet e fundit

Kuvendi vazhdoi punimet me pikat e mbetura

E Hënë, 04.06.2018




Kuvendi i Republikës së Kosovës ka vazhduar sot punimet me pikat e papërfunduara në disa seanca të kaluara.

E drejtuar nga kryeparlamentari Veseli, seanca ka miratuar Projektligjin për Ratifikimin e Traktatit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Hungarisë për Ekstradim, si dhe atë për Ratifikimin e Traktatit midis Kosovës dhe Hungarisë mbi transferimin e personave të dënuar.

Në vazhdim, deputetët nuk i dhanë mbështetje Propozim-Rezolutës nga debati parlamentar në lidhje me Raportin e Progresit për Republikën e Kosovës, sikurse as rekomandimeve nga interpelanca e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, sipas kërkesës së GP i PSD, në lidhje me nënshkrimin e marrëveshjes komerciale ndërmjet kompanisë "Contour Global" dhe Qeverisë së Kosovës për projektin e Termocentralit "Kosova e Re", të nënshkruar me 20 dhjetor 2017.

Me 17 vota për, 26 kundër dhe 48 abstenime, Kuvendi po ashtu nuk miratoi propozimin e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje për shkarkimin e nënkryetares së Kuvendit, Aida Dërguti.

Mbështetjen e deputetëve e morën, ndërkaq, raporti vjetor i Institucionit të Avokatit të Popullit për vitin 2017 dhe rezoluta nga debati parlamentar në lidhje me të drejtat e punëtorëve dhe adresimin e papunësisë në Republikën e Kosovës, sipas kërkesës së GP të LVV.

Seanca vazhdoi punimet me debatin parlamentar në lidhje me kartonin e gjelbër, sipas kërkesës së deputetit Faton Topalli, mbështetur edhe nga 11 deputetë.

Deputeti Topalli arsyetoi kërkesën për debat dhe eleboroi temën në fjalë, ndërsa në emër të grupeve parlamentare, diskutuan deputetët: Lumir Abdixhiku (LDK), Mërgim Lushtaku (PDK), Sami Kurteshi (VV), Daut Haradinaj (AAK), Sali Salihu (PSD), Bilall Sherifi (NISMA). Debati vijoi me diskutime të deputetëve të tjerë.

Me kërkesë të deputetit Visar Ymeri, mbështetur edhe nga 11 deputetë, Kuvendi hyri në debatin në lidhje me zbatimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë për unifikimin e pikave doganore ndërmjet tyre.

Deputeti Ymeri dhe përfaqësues të grupeve të tjera parlamentare adresuan çështje përkitazi me temën.

Në debatin e tretë të vazhdimit të sotëm të seancës, deputeti Fidan Rekaliu, mbështetur edhe nga pesë deputetë, paraqiti gjendjen, siç tha ai, jo të mirë të rinisë së Kosovës.

Deputetët e tjerë ngritjen një varg shqetësimesh lidhur me sfidat dhe problemet me të cilat ballafaqohen të rinjtë e vendit, sidomos në procesin e arsimimit dhe atë të punësimit.

Seanca vazhdon nesër, në orën 11:00.

 

Kuvendi vazhdoi punimet me pikat e mbeturaKuvendi vazhdoi punimet me pikat e mbetura