Lajmet e fundit

Nga vazhdimi i mbledhjes plenare

E Premte, 01.06.2018




Kuvendi i Republikës së Kosovës, ka vazhduar sot punimet me pikat e papërfunduara më 16, 17, 18, 20 dhe 26 prill 2018.

Deputetët iu kthyen edhe njëherë rekomandimeve nga interpelanca e kryeministrit Ramush Haradinaj, sipas kërkesës së GP i PSD, në lidhje me nënshkrimin e marrëveshjes komerciale ndërmjet kompanisë "Contour Global" dhe Qeverisë së Kosovës për projektin e Termocentralit "Kosova e Re" të nënshkruar me 20 dhjetor 2017. Kuvendi nuk pati kuorum për votimin e këtyre rekomandimeve.

Po ashtu, kuorum nuk pati as për votimin e Propozim-Rezolutës nga debati parlamentar në lidhje me Raportin e Progresit për Republikën e Kosovës.

Në vijim, seanca u pajtua që t'u japë kohë grupeve parlamentare të pajtohen lidhur me rekomandimet nga interpelanca e kryeministrit Haradinaj, sipas kërkesës së GP LDK-së, në lidhje me vendimin e Qeverisë së Kosovës nr. 02/34, të datës 05.03.2018, për ndarjen e mjeteve financiare në shumën prej një milion euro për KOSTT-in për mbulimin e shpenzimeve të furnizimit me energji elektrike të katër komunave në veri të Kosovës.

Sa i përket interpelancës tjetër të kryeministrit Haradinaj, në lidhje me korrupsionin dhe krimin e organizuar në institucionet dhe zyrtarët e lartë të Republikës së Kosovës, iniciuesi i interpelancës, GP i Vetëvendosjes, nuk u pajtua që në vend të kryeministrit, deputetëve t'u përgjigjet ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri.

Kjo pikë pritet të shqyrtohet në një nga seancat e radhës.

Seanca vazhdoi punimet me pikat e papërfunduara më 3 maj 2018, përkatësisht shqyrtimin e Projektligjit për Ratifikimin e Traktatit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Hungarisë për Ekstradim, të cilin para deputetëve e prezantoi dhe arsyetoi ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri.

As për këtë pikë nuk pati kuorum për votim.

Propozimi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje për shkarkimin e nënkryetares së Kuvendit, Aida Dërguti, ishte pikë e radhës e diskutimit.

Kryetari i GP të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, theksoi se pozita e nënkryetarit të Kuvendit i takon grupit të tij parlamentar, ngase, sipas tij, ky është grupi i tretë në Kuvend. Ai kërkoi shkarkimin e nënkryetares Aida Dërguti, tashmë deputete nga radhët e PSD-së.

Dardan Molliqaj nga PSD-ja tha se VV-ja çështjen e shkarkimit të Aida Dërguit e ka politizuar, ndërsa kërkoi nga kjo parti të respektojë Rregulloren e Kushtetutën.

Ai tha se nëse Kuvendi e shkarkon Aida Dërgutin, GP i PSD-së do ta respektojë, e nëse Gjykata me vendim thotë se Grupit të tretë parlamentar i tretë i takon nënkryetari, Dërguti do të japë dorëheqje.

Lidhur me këtë temë diskutuan edhe përfaqësues të grupeve të tjera parlamentare, ndërsa në mungesë të kuorumit as kjo pikë nuk u hodh në votim.

Megjithatë, Kuvendi arriti të formojë Komisionin Hetimor Parlamentar në lidhje me shpenzimet për lobim nga ana e Presidencës dhe Qeverisë të Republikës së Kosovës.

Kuvendi iu kthye edhe njëherë Raportit vjetor të Institucionit të Avokatit të Popullit për vitin 2017, tani, me prezantimin nga Avokati i Popullit, Hilmi Jashari.

Në fjalën e tij para deputetëve, Jashari përmendi shkeljet e evidentuara, ndërsa përmendi zvarritjet e lëndëve nëpër gjykata, mosekzekutimin e vendimeve gjyqësore, pastaj përdorimin e substancave narkotike nga grupmoshat e reja etj.

Për raportin e Avokatit të Popullit, diskutuan deputetë të Kuvendit, por në mungesë të kuorumit, as kjo pikë nuk u arrit të hidhet në votim.

Në këtë situatë, seanca ndërpreu punimet.

 

 

Nga vazhdimi i mbledhjes plenareNga vazhdimi i mbledhjes plenareNga vazhdimi i mbledhjes plenare