Lajmet e fundit

Nga vazhdimi i seancës plenare

E Enjte, 31.05.2018




Mbledhja e sotme e Kuvendit të Republikës së Kosovës, kryesuar nga kryekuvendari Kadri Veseli (një pjesë u kryesua nga nënkryetari Kujtim Shala) filloi me pikat e papërfunduara nga seancat plenare të 16, 17, 18, 20 dhe 26 prillit. Me këtë rast, deputetët votuan dhe përkrahën këto propozime, rezoluta dhe rekomandime të nxjerra pas përfundimeve të diskutimeve nga seancat e e kaluara: propozim-vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për emërimin e gjashtë (6) anëtarëve të Bordit për Agjencinë Kosovare të Privatizimit, propozim-rezolutën nga debati parlamentar, në lidhje me korrupsionin si kriter për liberalizim të vizave, rekomandimet nga debati parlamentar, në lidhje me sigurinë e fëmijëve në përdorimin e internetit në Kosovë, si dhe rekomandimet nga interpelanca, në lidhje me reduktimet e ashpra të furnizimit me energji elektrike dhe situatën në sektorin e energjisë.

Ndërsa, sa i përket votimit të Projektligjit për Ratifikimin e Traktatit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Hungarisë mbi transferimin e personave të dënuar, kjo çështje nuk mori votat e nevojshme nga deputetët.

Tutje, votimi i propozim-rezolutës nga debati parlamentar në lidhje me Raportin e Progresit për Republikën e Kosovës, është shtyrë për në fund të mbledhjes plenare, për shkak se nga përfaqësues të grupeve parlamentare u kërkua që të harmonizohen qëndrimet e tyre të përbashkëta dhe më pas të hidhet në votim.

Kuvendi vazhdoi punimet me interpelancën e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, në lidhje me vendimin e Qeverisë së Kosovës nr.02/34, të datës 05.03.2018, për ndarjen e mjeteve financiare në shumën prej një milion euro për KOSTT-in, për mbulimin e shpenzimeve të furnizimit me energji elektrike të katër komunave në veri të Kosovës.

Lidhur me këtë, fjalën e mori deputetja Mimoza Kusari-Lila, si inicuese e çështjes, për të prezantuar rekomandimet në vijim. Ajo fillimisht përmendi faktin se Kosova pas përfundimit të luftës, ka humbur kontrollin e saj të plotë mbi asetet e saj të energjisë dhe se KOSTT, KEK dhe KEDS tashmë nuk kanë qasje në asetet e tyre në pjesën veriore të vendit.

Pasi përmendi shqetësimet e radhës lidhur me këtë çështje dhe duke ngritur akuza për institucionet përgjegjëse, përmendi mes tjerash edhe humbjet që janë shkaktuar gjatë vitit 2017 nga transmisioni i Serbisë, e që sipas saj janë afër 10 milionë euro.

Kusari-Lila numëroi edhe një varg çështjesh tjera, me theks të veçantë edhe për marrëveshjet në Bruksel, si dhe faktin lidhur me faturat e energjisë elektrike në katër komunat e veriut, ndërkaq paraqiti disa nga rekomandimet. Veç tjerash, ajo kërkoi që të ndalen inkasimet ilegale që bëhen për rrymën në veri dhe që të vazhdohet dialogu me Beogradin për implementim të marrëveshjes mbi energjinë. Po ashtu, ajo theksoi se Kuvendi duhet të obligojë qeverinë që të gjejë zgjidhje për situatën e krijuar dhe planin për të kthyer humbjet që i janë shkaktuar KOSTT-it për furnizimin me energji në pjesën veriore.

Pas saj, fjalën e mori kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, duke vënë në pah faktin se konstatimet për gjendjen në veri dhe rrjedhën e kësaj gjendjeje në pjesën veriore të vendit janë mese të vërteta, ndërkaq sqaroi se qeveria aktuale ka ndarë 1 milion euro si një masë emergjente deri në momentet e gjetjes së ndonjë zgjidhje tjetër. Por, sipas tij, kjo gjendje nuk duhet të zgjasë deri në pakufi dhe se mospagesa e faturave nuk duhet toleruar më. Sa i përket çështjes së zbatimit të marrëveshjeve të arritura lidhur me energjinë gjatë dialogut me Serbinë, Haradinaj vlerësoi se Serbia po vonon zbatimin e këtyre marrëveshjeve dhe se në këtë mënyrë është duke i shkaktuar dëme të mëdha Kosovës. Për këtë, ai kërkoi nga deputetët që bashkarisht me të ta gjejnë zgjidhjen finale.

Tutje, Hykmete Bajrami, duke shpalosur qëndrimin e grupit parlamentar të LDK-së, paraqiti shqetësimin kryesor rreth faturave të paguara nga qytetarët për energjinë e shpenzuar në pjesën veriore, ndërkaq vlerësoi se në këtë mënyrë po preket jeta e qytetarëve tanë, si dhe po dëmtohet veprimtaria e secilit biznes. Ajo tha se Kosova po humb shumë nga moskontrolli i aseteve të veta në veri. Ndërkaq, shfaqi edhe kritika të shumta për mos transparencën rreth kontratës së privatizimit.

Deputetja Sala Berisha-Shala, duke folur në emër të grupit parlamentar të PDK-së, tha se rrjeti elektro-energjetik i Kosovës, shtrihet në tërë territorin e vendit, duke përfshirë edhe pjesën veriore, mirëpo që nga pas lufta ka qenë e pamundur të vizitohet, kontrollohet dhe mirëmbahet. Sipas saj, edhe stafi i KEDS-it e ka pasur të pamundur të kryejë mirëmbajtjen atje, duke përmendur në vijim edhe marrëveshjet politike të arritura në Bruksel në fushën e energjisë. Ajo vlerësoi se në bazë të marrëveshjeve politike për energjinë, e cila është nënshkruar në Bruksel, në vitin 2013, është dashur që të regjistrohet dhe licencohet furnizuesi dhe elektroserveri në atë pjesë, bazuar në ligjet e Kosovës.

Albin Kurti, nga grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, tha se vetekzistenca e humbjeve komerciale, si nga ana e shfrytëzuesve, ashtu edhe nga ana e sistemit, është një turp për Kosovën. Humbjet teknike në vitin 2014, sipas tij, ishin 15,56 për qind, kurse në vitin 2015, 15.45 për qind, që na shpien në përfundimin se nga 20 milionë të investuara janë zvogëluar humbjet vetëm për 0.11 për qind, e që në rastin e privatizimit krejt është blerë për 26 milionë.

Ndërsa, Dardan Molliqaj, nga grupi parlamentar i PSD-së tha se është i paqartë për të fakti i pagesës çdo muaj nga 1 milionë euro për rrymën në veri, ndërkaq përmendi se qytetarët serbë në pjesën veriore paguajnë rrymën atje, ndërsa paratë shkojnë në Serbi.

Blerim Kuçi nga grupi parlamentar i AAK-së, gjatë deklarimit të tij lidhur me këtë interpelancë, përmendi faturat e ulëta të energjisë elektrike që tashmë paguajnë qytetarët, e që sipas tij qeveria i ka ulur taksat.

Ndërsa, Bilall Sherifi nga GP Nisma theksoi se kjo çështje nuk është arritur të zgjidhet as përmes dialogut me Serbinë, megjithatë, shtoi ai, janë të hapur që të dëgjojnë ide për rrugëzgjidhje.

Pas përfundimit të diskutimit të deputetëve, fjalën e mori sërish kryeministri Haradinaj, i cili mes tjerash vlerësoi se aktualisht janë shumë të varur nga vendimmarrësit tjerë (BE dhe SHBA), mirëpo, shfaqi besimin se do të ketë përparim në këtë drejtim. Ai kërkoi nga deputetët që në rekomandimet që do të paraqiten sot lidhur me këtë temë, të mos krijohen obligime për qeverinë të cilat nuk përputhen me realitetin në vend.

Në fund, Kusari-Lila paraqiti katër rekomandime lidhur me interpelancën e kryeministrit në lidhje me vendimin e Qeverisë së Kosovës nr.02/34, të datës 05.03.2018, për ndarjen e mjeteve financiare në shumën prej një milion euro për KOSTT-in, për mbulimin e shpenzimeve të furnizimit me energji elektrike të katër komunave në veri të Kosovës, për të cilat deputetët u dakorduan që pas një pauze të përpilojnë finalizimin e këtij teksti, dhe pasi të harmonizohet me të gjitha grupet parlamentare të hidhen në votim.

Është vazhduar me pas me interpelancën e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të Partisë Social Demokrate, në lidhje me nënshkrimin e marrëveshjes komerciale ndërmjet kompanisë "Contour Global" dhe Qeverisë së Kosovës për projektin e Termocentralit "Kosova e Re" të nënshkruar me 20 dhjetor 2017.

Deputeti Dardan Sejdiu në emër të PSD-së dhe në cilësi të parashtruesit të interpelancës, prezantoi dëmet që do t'i bartë vendi ynë nga nënshkrimi i marrëveshjes komerciale ndërmjet kompanisë' Contour Global" dhe qeverisë së Kosovës për projektin e termocentralit "Kosova e re".

Sejdiu theksoi se qeveria ka themeluar ndërmarrjen e re energjetike të Kosovës "ENKEDS" duke i garantuar blerjen e energjisë elektrike Contour Global me çmim të garantuar prej 80 milionë eurosh. Sipas, Sejdiut Counter Global-it i garantohet qymyr i cilësisë së garantuar për 20 vitet e ardhshme. Ai pohoi se me ndërtimin e këtij termocentrali çmimi i energjisë elektrike do të ketë rritje prej 53 %.

Ai propozoi që të ndërpritet kjo marrëveshje, sipas tij, e dëmshme për vendin.

Pas tij, fjalën e mori kryeministri Haradinaj, i cili tha seka shumë gjëra të pasakta dhe të pavërteta nga prezantimi i deputetit Sejdiu për "Kosovën Re.

Lumir Abdixhiku, në emër të GP të LDK-së, deklaroi se ky projekt meriton vëmendje profesionale dhe konsensus shoqëror. Ai vuri në pah se vendi ynë duhet të ketë pavarësi energjetike dhe prodhim të energjisë. Abdixhiku theksoi se qytetarët e Kosovës do të paguajnë 60% më shtrenjtë energjinë elektrike.

Memli Krasniqi, kryetar i GP të PDK-së, theksoi se marrëveshja e nënshkruar lidhur me këtë kompani është një nga hapat më të rëndësishëm të vendit. Arritja e kësaj marrëveshjeje, sipas tij, është rezultat i qeverive të mëhershme. Përmes këtij projekti, Krasniqi tha se do të ketë investime direkte për krijimin e vendeve të punës, do të arrijë teknologji bashkëkohore, fondet do t'i kthehen vendit tonë, ndërsa qeveria nuk do të shpenzojë mjete publike.

Deputeti Blerim Kuqi nga GP AAK-së, e vlerësoi të qëlluar interpelancën e thirrur, duke bërë të ditur se ky projekt i ka dy të mira, të cilat janë kërkuar për vite me radhë: që të ketë energji të mjaftueshme dhe të sigurohet stabilitet energjetik.

Bilall Sherifi, kryetar i GP NISMA, deklaroi se e përkrahë këtë projekt, duke konsideruar se është një alternativë e mirë për të vazhduar, me që, sipas tij, vendi ynë do të ketë nevojë për energji.

Debatit i kontribuuan edhe deputet tjerë me pyetjet dhe komentet e tyre, ndërsa kryeministri Haradinaj disa herë mori fjalën për të dhënë sqarime në çështjet e ngritura nga deputetët.

Seanca do të vazhdoje punimet nesër në orën 13:00, me pikat e mbetura.

 

Nga vazhdimi i seancës plenareNga vazhdimi i seancës plenareNga vazhdimi i seancës plenare