Lajmet e fundit
Nga vazhdimi i seancës plenare të Kuvendit
E Mërkure, 30.05.2018
Kuvendi i Republikës së Kosovës, i kryesuar nga Kadri Veseli, kryetar, ka vazhduar sot punimet e seancës së Kuvendit, me pikat e papërfunduara më 17 maj.
Deputetët miratuan radhazi Programin Kombëtar për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (PKZMSA) 2018-2022, Strategjinë shtetërore të ujërave në Kosovë 2017-2036, Planin e veprimit për biodiversitetin 2016-2020 dhe raportin vjetor të Zyrës së Rregullatorit për Energji për vitin 2017.
Seanca vazhdoi me shqyrtimin e raportit vjetor të Institucionit të Avokatit të Popullit për vitin 2017, për të cilin diskutuan përfaqësues të grupeve parlamentare. Në mungesë të Avokatit të Popullit, kjo pikë pritet të shqyrtohet më tej në seancën e radhës.
Në vazhdim, Kuvendi miratoi raportin vjetor të Agjencisë për ndihmë juridike falas për vitin 2017, si dhe propozimin e Grupit Parlamentar të AAK-së për zëvendësimin e anëtarëve në komisionet parlamentare.
Punimet e Kuvendit vijuan me diskutime lidhur me propozim-rezolutën për heqjen e Romingut ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë, të cilën në emër të GP të PSD-së, e prezantoi deputeti Dardan Molliqaj.
Pasi mori mbështetjen e grupeve parlamentare dhe të qeverisë, projekt-rezoluta u miratua nga Kuvendi.
Deputeti Dardan Molliqaj paraqiti po ashtu edhe propozim-rezolutën për hapjen e tërësishme të kontrollit për hyrje/daljet e shtetasve të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë nëpërmjet pikave të kalimit kufitar në Vërmicë, Qafë-Prush dhe Qafë-Morinë.
Pas diskutimeve të deputetëve, Kuvendi miratoi edhe këtë rezolutë, të harmonizuar midis grupeve parlamentare.
Në vazhdim, Kuvendi, me votim të fshehtë, zgjodhi Ferat Mujën dhe Anita Muriqin anëtarë të Komisionit të Pavarur të Mediave.
Seanca e Kuvendit vazhdoi me debatin parlamentar në lidhje me të drejtat e punëtorëve dhe adresimin e papunësisë në Republikën e Kosovës, sipas kërkesës së GP të LVV-së.
Në emër të propozuesit, kryetari i GP të VV-së, Glauk Konjufca, tha se nuk mund të ketë ekonomi të shëndoshë nëse ke punëtorë të shkelur.
Ai tha se të gjitha shtetet demokratike evropiane i vendosin në përpjesëtim të drejtë të drejtat e punëtorëve me ekonominë e vendit. Ky debat është thirrur, shtoi ai, ngase, sipas tij, rezoluta për punëtorët e miratuar në Kuvendin e Kosovës para një viti, nuk po zbatohet.
"Qeveria, institucionalisht dhe në baza mujore duhet t'i shikojë obligimet e veta, me të cilat e ka ngarkuar Kuvendi i Kosovës", tha Konjufca.
Kryeparlamentari Veseli, duke folur lidhur me temën në fjalë, përmendi një varg ankesash që punëtorë të profileve të ndryshme i adresojnë atij nëpër takime të ndryshme. Veseli tha se duhet mbrojtur të drejtat e punëtorëve, duke filluar nga orari i punës, ditët e pushimit, pagesat etj.
"Kemi edhe punëtorët që nuk guxojnë të denoncojnë punëdhënësit. Do të ishte mirë që kjo seancë të mos përfundojë me një rezolutë, por me një task-forcë", shtoi Veseli.
Në emër të GP të LDK-së, deputeti Naser Rugova e konsideroi të vlefshëm dhe të dobishëm debatin e sotëm lidhur me të drejtat e punëtorëve. Ai kërkoi angazhim të të gjithëve për të ndryshuar situatën për të mirë dhe qasje më të mirë ndaj sektorit privat, duke respektuar legjislacionin në fuqi.
Deputetja Xhevahire Izmaku nga GP i PDK-së, tha se të gjithë sektorët në sferën private kanë nevojën për kujdesin e deputetëve dhe për mbrojtjen nga ana e shtetit. Ajo tha se mekanizmat, si rezolutat, nuk mjaftojnë për zgjidhje të problemit, por duhet punë dhe angazhim më i madh në këtë drejtim.
Në emër të GP të VV-së, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, tha se duhet të rritet besueshmëria mes inspektoratit, kompanive dhe punëmarrësve. Ajo tha se këtë vit kemi pasur gjashtë vdekje me fatalitet në punë, ndërsa vitin e kaluar 11 sosh.
Faton Topalli në emër të GP të PSD-së tha se sektori privat është shkelësi kryesor i të drejtave të punëmarrësve. Ai tha se aktualisht janë vetëm 23 inspektorë të punës dhe shtroi nevojën që ku numër të rritet.
Enver Hoti nga Nisma Socialdemokrate, tha se duhet të merren masa nëse nuk zbatohet ligji, duke filluar nga kontratat, nëse kompanitë në sektorin privat ofrojnë të tilla, deri te shkelja e pushimit javor. Ai shtoi se duhet të merren masa nëse nuk po zbatohet ligji.
Debati vijoi me diskutime të deputetë të tjerë të Kuvendit, të cilët adresuan shqetësime të shumta lidhur me të drejtat e punëtorëve dhe nevojën për marrjen e masave konkrete.
Seanca ndërpreu punimet për sonte, ndërsa për vazhdimin e saj do të vendosë Kryesia e Kuvendit.