Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Administratë Publike...

E Hënë, 28.05.2018




Komisioni për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, kryesuar nga kryetari Nait Hasani, shqyrtoi sot Projektligjin për lirinë e asociimit në Organizata Joqeveritare, si dhe Raportin vjetor të statistikave zyrtare për vitin 2017.

Në këtë takim, komisioni shqyrtoi nene të caktuara të projektligjit për lirinë e asoccimit në Organizata Joqeveritare, ndërkaq të mërkurën do të mbajë edhe një takim me Komisionin për Buxhet dhe Financa lidhur me llogaritë mikro-financiare të OJQ-ve.

Në pjesën e dytë të takimit, kryeshefi i Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Isa Krasniqi, ka prezantuar raportin vjetor 2017. Gjatë fjalës së tij, Krasniqi bëri të ditur se gjatë periudhës pesëvjeçare, janë bërë ndryshime pozitive në fushën e statistikave zyrtare në Sistemin Statistikor të Kosovës.

"Viti 2017 karakterizohet me ndryshime pozitive si në aspektin e prodhimeve statistikore, të cilat bazohen në Programin e Statistikave Zyrtare 2013-2017, po ashtu edhe në aspektin e prezencës në nivel ndërkombëtar të ASK-së, siç është rasti i avancimit drejtë përfshirjes së plotë të Sistemit Statistikor të Kosovës në Sistemin Evropian të Statistikave. Viti 2017 ishte vazhdimësi e rritjes së performancës së ASK-së. Përveç prodhimit të Statistikave zyrtare sipas kalendarit të publikimeve, janë zhvilluar edhe aktivitete tjera të rëndësishme, të cilat kanë zgjeruar gamen e prodhimeve statistikore për nevojat e përdoruesve", deklaroi Krasniqi.

Po ashtu, ai pohoi se janë zhvilluar edhe procese tjera të cilat për funksion kanë zhvillimin e ASK-së në aspektin afatgjatë, siç është rasti i planifikimit nga ana e ASK-së i Programit të Statistikave Zyrtare 2018-2022, i cili sipas tij, është aprovuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

Në fund të takimit, Krasniqi theksoi se vlerësimi ndërkombëtar në vitin 2017, nga ekipi i ekspertëve të angazhuar nga EUROSTAT-i, i quajtur Vlerësimi "Peer Review", është edhe një e arritur tjetër e madhe për Sistemin Statistikor të Kosovës në përgjithësi.

Anëtarët e komisionit shtruan pyetje në adresë të këtij agjencioni dhe ngritën një varg çështjesh të rëndësishme.

Pas përgjigjeve të kryeshefit të ASK-së, raporti vjetor i statistikave zyrtare për vitin 2017, u miratua nga anëtarët e komisionit.

 

Nga mbledhja e Komisionit për Administratë Publike...