Lajmet e fundit
Veseli: Vetëm fqinjësia e mirë dhe respekti i ndërsjell sigurojnë paqe në Ballkan
E Shtune, 26.05.2018
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, po merr pjesë në Lutjet e Mëngjesit, të cilat po mbahen në Tiranë, nën organizimin e Kuvendit të Shqipërisë.
Në fjalën e tij para përfaqësuesve të parlamenteve nga shumë vende të botës, kryeparlamentari Veseli tha se ndihet i nderuar që gjendet në Tiranë për të përçuar mesazhin e paqes, dashurisë dhe respektit për njëri -tjetrin.
Veseli kujtoi takimin e fundit në Kosovë dhe drekën e veçantë buzë lumit Ibër në Mitrovicë, ku janë takuar bashkërisht shqiptarë, serbë dhe përfaqësues të komuniteteve të tjera, për të përçuar, siç tha Veseli, mesazhin e përbashkët se atë që e ka krijuar zoti nuk është mirë ta ndajë njeriu. Ai tha se fqinjësinë e kemi të përbashkët, sikurse jetën.
Kreu i Kuvendit shtoi se asgjë më të shenjtë nuk ka në jetë sesa besimi dhe respekti ndaj njëri-tjetrin.
"Populli im në të kaluarën ka përjetuar gjëra të cilat nuk kanë qenë shumë të lehta. Populli im falë dhe mendon për të ardhmen, mendon për respektin edhe ndaj fqinjve, mendon edhe për respektin e të gjithë atyre që vuajnë po aq sa ka vuajtuar ai vet vetëm dy dekada më herët. Besoj dhe shpresoj që fqinjtë tanë do të na respektojnë ne ashtu siç duam t'i respektojmë ne ata, të jetojmë në paqe, me identitetet tona dhe me respekt ndaj njëri-tjetrit. Regjioni ynë ka nevojë për paqe dhe respect", theksoi kryeparlamentari Veseli.
Në vazhdim të fjalës së tij, kreu i Kuvendit tha se nëse shkencëtarët dhe ekspertët e ekonomisë do të bënin analiza se si do të arrihej prosperiteti në këtë regjion, formula më e thjeshtë, sipas tij, do të ishte bashkëpunimi mes vete.
Në momentin kur arrihet që Ballkani të kuptojë realitetin dhe respektin për njëri-tjerin, shtoi Veseli, do të arrihet të ketë prosperitet shumë më të fuqishëm për qytetarët e rajonit, për të jetuar në vendet e tyre dhe për të mos kërkuar në vende të tjera.
"Ky është mesazhi që dëshiroj të përçoj sot nga ky mëngjes. Lutjet tona shkojnë për të gjithë ata popuj dhe njerëz të cilët kanë nevojë. Lutjet tona shkojnë më së shumti për të gjithë ata që e kanë mendjen dhe qëllimin e mirë dhe që mëndojnë më shumë sa për veten, aq edhe për tjetrin", tha kryeparlamentari Veseli.