Lajmet e fundit
Nga mbledhja e komisionit për Arsim...
E Mërkure, 23.05.2018
Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte Inovacion dhe Ndërmarrësi, ka mbajtur mbledhjen e rregullt, të kryesuar nga Ismajl Kurteshi, kryetar, në të cilën shqyrtoi Projektligjin për Inovacion Shkencor dhe Transfer të Dijes dhe Teknologjisë.
Në fillim të takimit kryetari i komisionit, Kurteshi, shprehu pakënaqësinë e tij lidhur me mos prezencën e ministrit të MASHT-it dhe përfaqësuesve tjerë relevantë që ndërlidhen me fushën e arsimit. Ai më pas shtoi se është duke u vonuar hartimi i Projektligjit për Inspektoratin e Arsimit, për të cilin janë duke i pritur rekomandimet që disa ditë. Deputeti Nezir Çoçaj kërkoi që komisioni t'i drejtohet ministrit të Arsimit me një shkresë lidhur me mospjesëmarrjen në mbledhje të komisionit, si dhe zvarritjen e dërgimit të rekomandimeve. Të njëjtin mendim e dha edhe deputetja Teuta Haxhiu.
Gjatë kësaj mbledhjeje, komisioni ka shqyrtuar në tërësi Projektligjin për Inovacion Shkencor dhe Transfer të Dijes, ndërsa një pjesë e neneve do t'i dërgohet MASHT-it për tu qartësuar përmbajtja e këtij projektligji.