Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Legjislacion....
E Hënë, 21.05.2018
Në mbledhjen e Komisionit për Legjislacion , Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit, të kryesuar nga kryetarja e Komisionit, Albulena Haxhiu, u shqyrtua në parim Projektkodi Penal i Republikës së Kosovës.
I pranishëm në këtë mbledhje ishte ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, i cili dha sqarimet e nevojshme lidhur me projektkodin penal, duke theksuar mes tjerash se janë ndryshuar mbi njëqind (100) nene të këtij Projektkodi, ndërkaq sqaroi se 19 sosh janë ndryshime rreth çështjes së krimit të organizuar dhe korrupsionit.
"Kanë qenë tri parime themelore që na kanë diktuar punën në hartimin e këtyre ndryshimeve, si: përcaktimi i qartë për sundim të mirëfilltë të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, fleksibilitet më i madh në punën e organeve të pavarura të zbatimit të ligjit, si dhe mbrojtja, promovimi dhe avancimi dhe nocioni i të të drejtave të njeriut"- theksoi ministri Tahiri.
Ai po ashtu deklaroi se ky kod është në harmoni të plotë me standardet e Bashkimit Evropian, duke shënuar kështu një avancim në reformën tonë, në sistemin e drejtësisë. Ndërsa, vlerësoi se nenet që ndërlidhen me luftën kundër korrupsionit, janë kërkesë e BE-së dhe ndërlidhen me liberalizimin e vizave.
Gjatë diskutimit të anëtarëve të Komisionit pati vërejtje për gabimet teknike, gjuhësore dhe të përkthimit në këtë Projektkod, ndërkaq u dhanë edhe disa propozime tjera.
Pas përfundimit të diskutimit, Komisioni përkrahu në parim Projektkodin Penal të Republikës së Kosovës dhe procedohet në seancë plenare.