Lajmet e fundit
Nga seanca plenare e Kuvendit
E Premte, 18.05.2018
Kuvendi i Republikës së Kosovës ka mbajtur sot seancë plenare, nën udhëheqjen e kryeparlamentarit Kadri Veseli, me pikën e vetme të rendit të ditës: përzgjedhja e kandidatëve për gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës.
Në fillim të mbledhjes Kuvendi u deklarua për shmangie nga afatet procedurale.
Deputetja Safete Hadërgjonaj, në emër të komisionit të posaçëm, e arsyetoi listën e propozuar të kandidatëve për gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese.
Hadërgjonaj prezantoi emrat e kandidatëve si në vijim: Nexhmi Rexhepi, Remzije Istrefi-Peci, Radomir Laban, Hajzer Salihu, Safet Hoxha, Bajram Latifi, Shkëmb Manaj, Vigan Qorroli, Shqipe Ibraj-Mala dhe Nebojsha Boriqiq.
Në raundin e parë, me votim të fshehtë, gjyqtarë në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës nga komuniteti jo shumicë, u zgjodhën: Radomir Laban dhe Bajram Ljatifi.
Ndërkaq, për kandidatët nga komuniteti shumicë shqiptar votimi u përsërit dy herë por asnjëri nga lista e kandidatëve nuk arriti votat e mjaftueshme për gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese.