Lajmet e fundit
Nga mbledhja plenare e Kuvendit
E Enjte, 17.05.2018
Kuvendi i Republikës së Kosovës, i drejtuar nga Kadri Veseli, kryetar, është mbledhur sot në seancë të rregullt plenare, në të cilën ka shqyrtuar një varg projektligjesh dhe raportesh.
Pas deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve të shumta që deputetët u adresuan anëtarëve të kabinetit qeveritar, Kuvendi shqyrtoi Vendimin e Presidentit të Republikës së Kosovës për kthimin e Ligjit nr. 06/L-016 për shoqëritë tregtare.
Rekomandimin e komisionit funksional për Zhvillim Ekonomik... lidhur me këtë vendim, e paraqiti deputeti Dardan Sejdiu. Zëvendëskryetari i komisionit bëri të ditur se komisioni me shumicë votash ka rekomanduar të miratohet vendimi i presidentit, që lidhet me nenin 34 të ligjit.
Përfaqësues të grupeve parlamentare në pozitë: Memli Krasniqi (PDK), Muharrem Nitaj (AAK) dhe Albulena Balaj-Halimaj (NISMA) u shprehën pro vendimit të presidentit dhe rekomandimit të komisionit, ndërsa nga grupet parlamentare në opozitë, Mimoza Kusari-Lila (LDK), Fatmire Kollçaku (VV) dhe Visar Ymeri (PSD), paraqitën qëndrimet e tyre kundër këtij rekomandimi.
Pas diskutimeve, Kuvendi nuk miratoi rekomandimin e komisionit dhe ligji konsiderohet i shpallur, ashtu siç është miratuar paraprakisht nga Kuvendi.
Punimet e Kuvendit vijuan me shqyrtimin e Projektligjit për Statusin e punëtorëve të arsimit shqip të Republikës së Kosovës nga viti shkollor 1990/91 deri në vitin shkollor 1998/99.
Para deputetëve, projektligjin e prezantoi dhe arsyetoi ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqeri Bytyçi, i cili tha se qëllimi i projektligjit është njohja dhe përcaktimi i të drejtave të punëtorëve të arsimit shqip të Kosovës që punuan nga viti shkollor 1990/91 deri në vitin shkollor 1998/99.
Në vazhdim, qëndrimet e tyre i paraqitën përfaqësuesit e grupeve parlamentare dhe deputetë të tjerë të Kuvendit, të cilët projektligjin e konsideruan të nevojshëm, por gjithashtu u theksua se ligjërisht duhet t'u njihet kontributi edhe segmenteve të tjera të shoqërisë të cilët vepruan gjatë atyre viteve.
Pas diskutimeve, Kuvendi miratoi në parim projektligjin dhe ngarkoi komisionin përkatës funksional për shqyrtimin dhe amendamentimin e tij.
Po ashtu, deputetët miratuan në shqyrtim të dytë edhe Projektligjin për mbrojtjen e konsumatorit, me amendamentet e komisionit funksional, si dhe Projektligjin për Kryeqytetin e Republikës së Kosovës/Prishtinën.
Në vazhdim, Kuvendi shqyrtoi Programin Kombëtar për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (PKZMSA) 2018-2022.
Raportin me rekomandime të Komisionit për Integrime Evropiane e paraqiti kryetarja e këtij komisionit, Blerta Deliu-Kodra, e cila shkoqiti aspekte përmbajtësore të këtij programi.
Më pas folën edhe deputetë të tjerë të Kuvendit.
Seanca vijoi me shqyrtimin e Strategjisë shtetërore të ujërave në Kosovë 2017-2036, të cilën në emër të qeverisë e prezantoi ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, ndërsa rekomandimin e Komisionit për Bujqësi..., anëtari i këtij komisionit, Salih Salihu.
Ministri Reçica prezantoi po ashtu edhe Planin e veprimit për biodiversitetin 2016-2020, ndërsa në emër të komisionit foli deputeti Salih Salihu.
Deputetët, nga ana e tyre, vlerësuan se plani është i hartuar mirë, por theksuan nevojën e zbatimit të tij në praktikë.
U shqyrtua po ashtu, edhe Raporti vjetor të Zyrës së Rregullatorit për Energji për vitin 2017.