Lajmet e fundit
Grupi punues për amendamentimin e Ligjit për Gjykatat vizitoi Gjykatën Themelore në Prishtinë
E Enjte, 17.05.2018
Grupi Punues i Komisionit për Legjislacion... për shqyrtimin dhe amendamentimin e Projektligjit për gjykatat, në përbërje: Korab Sejdiu, kryesues, Albulena Haxhiu dhe Sami Kurteshi, anëtarë, ka vizituar Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Grupi punues u prit nga kryetarja e Gjykatës Themelore, Afërdita Bytyçi, kryetari i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala, nënkryetari i Gjykatës Themelore, Arben Hoti, si dhe gjyqtarë nga departamente të ndryshme të gjykatës.
Vizita kishte për qëllim njoftimin për se afërmi me problemet dhe sfidat që përballet kjo gjykatë, në veçanti Departamenti Administrativ dhe ai Ekonomik.
Në takim u diskutua edhe për koordinimin midis gjykatës dhe grupit punues të komisionit lidhur me propozimet e saj për Projektligjin për gjykatat.
Deputetët ngritën shqetësimet e tyre për nivelizimin e pagave, duke kërkuar që kjo të rregullohet me ligj, në mënyrë që të mos ketë dallime midis departamenteve. U diskutua gjithashtu, edhe për kufizimet në moshë për gjyqtarët porotë, bashkëpunëtorët profesional etj.
Me tej u tha se Dhoma e Posaçme në kuadër të Gjykatës Supreme duhet të shuhet, ngase, sipas drejtuesve të gjykatës, është e dëmshme, ndërsa duhet të krijohet një dhomë në kuadër të Gjykatës Themelore, e cila do t'i përgjigjej Prokurorisë Speciale.
Kryetarja Afërdita Bytyçi, theksoi nevojën për dyfishimin e gjyqtarëve në Gjykatën Themelore në Prishtinë, për shkak të numrit të madh të lëndëve.
Bashkëbiseduesit u pajtuan se Kosova duhet të ketë Gjykatë Ekonomike dhe Gjykatë Administrative.
Anëtarët e grupit punues kërkuan që të gjitha propozimet e drejtuesve të gjykatës të adresohen në komision në mënyrë të shkruar, të cilat grupi punues dhe komisioni do t'i trajtojnë gjatë fazës së amendamentimit të projektligjit.