Lajmet e fundit

Komisioni për Zhvillim Ekonomik...

E Mërkure, 16.05.2018




Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal, kryesuar nga Dardan Sejdiu, zv/kryetar i parë i këtij komisioni, mbajti sot mbledhjen e radhës, në të cilën shqyrtoi pakon legjislative për ndryshimin dhe plotësimin e projektligjeve që bëjnë pjesë në fushëveprimin e Ministrisë së Infrastrukturës, me qëllim të harmonizimit me Ligjin për Kundërvajtje.

Këtë pako legjislative, e cila përmban: Projektligjin nr.06/L-066 për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit nr. 05/L-064 për Patentë Shoferi, Projektligjin nr.06/L-067 për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit nr. 04/L-063 për Hekurudhat e Kosovës, Projektligjin nr.06/L-068 për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit nr. 2003/11 për Rrugë, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr.03/L-120, Projektligjin nr.06/L-069 për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit nr. 05/L-088 për Rregullat e Trafikut Rrugor, Projektligjin nr.06/L-070 për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit nr. 04/L-179 për Transportin Rrugor, si dhe Projektligjin nr.06/L-071 për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit nr. 04/L-183 për Transportin Tokësor të Mallrave të Rrezikshme, komisioni, pas shqyrtimit të tyre, i përkrahu ato dhe vendosi t'i procedojë tutje sipas Rregullores së Punës.

Në këtë mbledhje, komisioni shqyrtoi dhe përkrahu po ashtu edhe Raportin vjetor të Autoritetit të Aviacionit Civil - AAC për vitin 2017, të cilin para komisionit e paraqiti drejtori i përgjithshëm i ACC-së, Dritan Gjonbalaj.

Është shqyrtuar po ashtu edhe Raporti vjetor i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës - AKK për vitin 2017. Këtë raport e paraqiti kryetari i Bordit të AKK-së Valon Preshtresi, ndërkaq, në mungesë kuorumi nuk është hedhur në votim.

Komisioni për Zhvillim Ekonomik...