Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike
E Mërkure, 16.05.2018
Në mbledhjen e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, të kryesuar nga kryetari Driton Selmanaj, u shqyrtuan dhe u miratuan rekomandimet lidhur me raportin e auditimit për efikasitetin e menaxhimit të lëndëve civile në Gjykatat Themelore. Me këtë rast, Komisioni, veç tjerash u dakordua që nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Gjykatat Themelore të përfshira në auditim, brenda një muaji, të hartojnë planin e veprimit për adresimin e të gjeturave të auditorit. Po ashtu, u rekomandua që KGJK-ja të trajnojnë personelin e gjykatës që merren me pranimin dhe regjistrimin e lëndëve, ndërkaq, Gjykatat Themelore të monitorojnë performancën e menaxhimit të lëndëve civile për secilin gjyqtarë dhe për secilën lëndë që ata zgjidhin, si dhe të standardizojnë procedurën e shpërndarjes së lëndëve përmes shortit dhe të evitojnë shpërndarjen e lëndëve përmes metodës së rotacionit.
Tutje, Komisioni shqyrtoi edhe rekomandimet lidhur me raportin e auditimit Efektiviteti i Sistemit Informativ të Tatimit në Pronë, duke i miratuar ato më disa ndryshime. Komisioni kërkoi nga Ministria e Financave që të hartojë planin e veprimit për të gjeturat e auditorit, duke caktuar personat përgjegjës dhe afatet kohore për zbatimin e rekomandimeve të dhëna në raportin e auditorit të jashtëm dhe për këtë ta njoftojë Komisionin brenda një muaji. Po ashtu, u rekomandua që MF-ja të sigurohet se janë duke u përmbushur zotimet e bëra me marrëveshje për plotësimin e personelit, sigurimin e infrastrukturës si dhe zotimet e tjera të marrëveshjeve të realizuar në mes të MF-së, Agjencia Suedeze e Tatimeve (ATS-së) dhe MF-së me SIDA-ën. Komisioni, po ashtu kërkoi nga Ministria e Financave që të zhvilloj strategji dhe plane për përfshirjen e të gjitha komunave për mbledhjen e të hyrave nga tatimi në prone, si dhe shfrytëzimin e sistemit për menaxhimin e të dhënave të tatimit në pronë.