Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Arsim...
E Mërkure, 16.05.2018
Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi, të kryesuar nga Ismajl Kurteshi, kryetar, u diskutua lidhur me trashëgiminë kulturore në Kosovë.
Të ftuar në këtë mbledhje ishin ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi dhe kryetari i Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore, Shafi Gashi.
Në këtë mbledhje, nga të pranishmit, u diskutua edhe për trashëgiminë shpirtërore, projektet dhe masat preventive për mbrojtjen e kësaj trashëgimie.
Ministri Gashi bëri të ditur se Departamenti për Trashëgiminë Kulturore në Ministrinë e Kulturës, ka miratuar listën e trashëgimisë kulturore. Ai tha se brenda kësaj liste janë edhe 40 asete të reja. Po ashtu, ai e njoftoi komisionin edhe me krijimin e Inspektoratit për Trashëgiminë.
"Si rezultat i këtij inspektorati janë bërë 21 inspektime dhe deri tani janë bërë tri kallëzime e penale. Kemi përgatitur edhe koncept-dokumentin për trashëgiminë kulturore e cila do të procedohet në Kuvend", tha ai.
Ministri Gashi tha se bazuar në programin e punës në MKRS, trashëgimia kulturore ka pasur një vëmendje të kushtuar dhe përbën një nga sfidat kryesore të kësaj ministrie. Ai tha se janë realizuar 12 projekte në ndërtesat me status të mbrojtjes, kurse tek kërkimet në kuadër të trashëgimisë arkeologjike janë realizuar 19 projekte.
Kryetari i komisionit, Ismajl Kurteshi tha se përmes këtij takimi po tentohet të ngritet bashkëpunimi në mes të ministrisë së Kulturës dhe Këshillit të Trashëgimisë Kulturore.
Përveç tjerash, në këtë mbledhje u diskutua edhe rreth disa monumenteve të trashëgimisë kulturore si: Kalaja e Artanës, Kulla e Sylejman Vokshit, Kalaja e Prizrenit etj.