Lajmet e fundit
Nga dëgjimi publik i Komisionit për Administratë Publike...
E Mërkure, 16.05.2018
Komisioni për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, ka mbajtur sot dëgjim publik, lidhur me Projektligjin për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Statistikat Zyrtare të Republikës së Kosovës.
Në fillim të takimit, Nait Hasani, kryetar i komisionit, bëri të ditur se lidhur me plotësim- ndryshimin e këtij ligji janë mbajtur takime me EUROSTAT-in dhe me të gjitha grupet e interesit. Me këtë rast, ai theksoi se nga kjo mbledhje do të merren në konsideratë të gjitha vërejtjet dhe propozimet nga akterët relevantë.
Kryeshefi Ekzekutiv i Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Isa Krasniqi, gjatë fjalës së tij, tha se gjatë zbatimit të ligjit ekzistues është parë e nevojshëm plotësim-ndryshimi i tij. Krasniqi informoi se nga EUROSTAT-i dhe akterë tjerë relevantë, janë marrë rekomandimet për ndryshim të ligjit në dy nene: nenin 5, përmes të cilit parashihet që ASK-ja të jetë institucion i pavarur që vepron në kuadër të Kuvendit të Kosovës, si dhe të nenit 8, në të cilin parashihet që Kryeshefi Ekzekutiv i ASK-ës për punën e vetë t'i përgjigjet drejtpërdrejt organit përkatës të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Kryeshefi Krasniqi kërkoi mbështetjen e komisionit lidhur me rekomandimet, duke u konsideruar se ASK-ja është prodhuese e të dhënave lidhur me zhvillimin ekonomik, të zhvillimeve politike, të drejtësisë, popullsisë etj. Po ashtu, ai pohoi se përmes këtyre rekomandimeve, synohet qasja e drejtpërdrejtë te deputetët, duke i ndihmuar Kuvendit me të dhënat statistikore.
Kryetari i komisionit, Nait Hasani, e falënderoi përfaqësuesin e ASK-së për pjesëmarrje dhe dhënien e rekomandimeve. Ndërkaq, deklaroi se të gjitha propozimet e dërguara me shkrim do të merren në shqyrtim.