Lajmet e fundit
Nga vizita e Komisionit për Punë të Jashtme në Mbretërinë e Norvegjisë
E Premte, 11.05.2018
Komisioni për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike, me ftesë të Komisionit për Punë të Jashtme dhe Mbrojtje të Parlamentit të Mbretërisë së Norvegjisë, ka realizuar një vizitë zyrtare në Norvegji.
Delegacioni i Komisionit për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike i Kuvendit të Republikës së Kosovës, këtë vizitë e ka realizuar në përbërje të: Vjosa Osmani-Sadriu, kryetare e Komisionit, Time Kadrijaj, nënkryetare e Komisionit, Doruntinë Maloku- Kastrati, Elmi Reçica, Evgjeni Thaçi-Dragusha dhe Srdjan Mitroviç, anëtarë.
Me këtë rast, Komisioni realizoi takime në Parlamentin norvegjez, ku u prit nga Komisioni homolog, i cili mbulon Politikën e Jashtme dhe çështjet e Mbrojtjes. Gjatë këtyre takimeve u diskutuan sfidat e tanishme të Republikës së Kosovës në procesin e fuqizimit të shtetësisë në arenën ndërkombëtare. Me theks të veçantë është diskutuar për rolin që mund të luaj Norvegjia për të përkrahur anëtarësimin e Kosovës në një sërë organizatash ndërkombëtare.
Është diskutuar po ashtu, edhe për rëndësinë e transformimit sa më të shpejtë të FSK-së në ushtri, në mënyrë që Kosova të mund të ndërmarrë hapa drejt anëtarësimit në Partneritetin për Paqe, që është parakusht për anëtarësim në NATO.
Gjatë takimeve, me theks të veçantë është diskutuar edhe situata e tanishme lidhur me dialogun Kosovë-Serbi, si dhe veprimet e fundit obstruksioniste dhe bllokuese të Serbisë.
Anëtarët e komisionit, kanë njoftuar nikoqirët edhe për përgatitjet që po i bënë Republika e Kosovës për të përmbyllur fazën finale të dialogut me një marrëveshje juridikisht të obligueshme.
Gjatë takimeve me deputetët norvegjezë që udhëheqin delegacionet në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe në Asamblenë Parlamentare të OSBE-së, deputetët diskutuan në veçanti për përkrahjen që i duhet Kosovës në këto dy organizata.
Komisioni i Kuvendit të Kosovës, është pritur në takim edhe në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Nikoqir i këtij takimi ishte Sekretari i Shtetit në këtë Ministri, z. Audun Halvorsen, si dhe zyrtarë të tjerë të kësaj Ministrie. Po ashtu, komisioni ka realizuar takime edhe në Ministrinë e Punëve të Brendshme, me përfaqësues të partisë konzervative, përkatësisht, z. Kai Eide, ish i Dërguari Special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në Kosovë, pastaj, me përfaqësues të Komunës e Oslos, si dhe me një sërë agjencionesh shtetërore dhe organizata joqeveritare.