Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të pagjetur dhe Peticione
E Mërkure, 02.05.2018
Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të pagjetur dhe Peticione, kryesuar nga zonja Duda Balje, kryetare e Komisionit, mbajti sot mbledhjen, me ç'rast u shqyrtua zbatimi i Ligjit nr. 04/L-092 për Personat e Verbër në Kosovë.
Në këtë mbledhje, përveç anëtarëve të Komisionit, morën pjesë Skender Reçica, ministër i Ministrisë për Punë dhe Mbrojtje Sociale, Mahir Yagcilar, ministër i Ministrisë për Administratë Publike, përfaqësuesit e Institucionit të Avokatit të Popullit, si dhe përfaqësuesit e Shoqatës së Personave të Verbër të Kosovës dhe Iniciativës së Pavarur të Personave të Verbër në Kosovë.
Duke folur për Ligjin për Personat e Verbër në Kosovë, ministri Reqica ka theksuar se ky Ligj ka hyrë në fuqi në vitin 2012 dhe meqenëse është konstatuar se ky Ligj përmban paqartësi të caktuara dhe nuk është funksional gjatë implementimit në terren është konkluduar se i njëjti ka nevojë për ndryshim dhe plotësim.
Në vazhdim, ministri tha se deri në muajin qershor të këtij viti Ministria për Punë dhe Mbrojtje Sociale, duhet ta përfundoj dokumentin për Ligjin për Personat me aftësi të kufizuar dhe i njëjti deri në fund të vitit t'i dërgohet Kuvendit të Kosovës për shqyrtim dhe miratim.
Në vazhdimi të mbledhjes, ministri Yagcilar ka theksuar se në bazë të Ligjit për punësim, çdo institucion është i obliguar që nga 50 punëtorë të punësuar, një punëtorë duhet të jetë me aftësi të kufizuara, por fatkeqësisht në praktikë kjo nuk është zbatuar. Në vazhdim, ministri ka theksuar se në Shërbimin civil të Kosovës momentalisht janë të punësuar gjithsej 103 punëtorë, ndërsa në institucionet shoqërore dhe ndërmarrje private, nuk dihet numri i të punësuarve, që i takojnë kategorisë së personave me aftësi të kufizuara.
Gjatë diskutimit lidhur me këtë temë, përfaqësuesit e Shoqatës së Personave të Verbër dhe Iniciativës së Pavarur të Personave të Verbër të Kosovës, kanë thëne se sa më parë duhet të rregullohet me ligj ekzistues punësimi i personave të verbër në Shërbimin civil, si dhe në institucione shoqërore dhe ndërmarrje private.
Anëtarët e Komisionit parashtruan pyetje të shumta për ministrat Reqica dhe Jagcilar.