Lajmet e fundit
Veseli: Do të përkrah çdo iniciativë për avancimin e pozitës së gruas
E Enjte, 10.05.2018
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, priti sot në takim
Bordin e Grupit të Grave Deputete, në përbërje: Mexhide Mjaku -Topalli, Teuta Haxhiu, Lirije Kajtazi, Besa Baftiu, Saranda Bogujevci dhe Jasmina Zhivkoviq.
Kryeparlamentari Veseli, pasi uroi deputeten Mexhide Mjaku - Topalli për zgjedhjen e saj në krye të GGD-së, theksoi se është i njoftuar me punën e mirë që po bën ky grup.
Veseli përgëzoi gratë deputete për angazhimin e tyre të pareshtur në avancimin e pozitës dhe rolit të gruas në shoqëri, ndërsa konfirmoi mbështetjen e tij të gjithanshme në këto angazhime.
"Unë do të përkrah GGD-në në çdo iniciativë për përmirësimin e pozitës së gruas dhe do të interesohem t'ju sigurohet mbështetja e nevojshme për mbarëvajtjen e angazhimeve të GGD-së", theksoi kryetari Veseli.
Deputetet, nga ana e tyre, falënderuar kryetarin për pritjen, kërkuan që gratë të jenë të përfshira më shumë në trupa të Kuvendit, delegacione, grupe punuese etj.
Kryetarja e Bordit të GGD-së, Mexhide Mjaku -Topalli, njoftoi kryetarin Veseli për punën e GGD-së, si grup gjithëpërfshirës, i cili do të vazhdojë të punojë për fuqizimin e rolit të gruas në përfshirjen e perspektivës gjinore në legjislacion dhe politikë në përgjithësi. Ajo përmendi edhe nevojën për përkrahje nga Kuvendi për Grupin e Grave Deputete në projektet e këtij grupi, por edhe në sigurimin e stafit të përhershëm mbështetës. Topalli - Mjaku theksoi rëndësinë që në Rregullore të Kuvendit të sigurohet përkrahje për GGD-në.