Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Buxhet
E Marte, 08.05.2018
Përfaqësuesit e Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) dhe ata të Doganave të Kosovës, kanë raportuar sot në mbledhjen e Komisionit për Buxhet dhe Financa, të kryesuar nga Lumir Abdixhiku, kryetar.
Raporti kishte të bënte me projeksionet për inkasimin e të hyrave për vitin 2018, përkatësisht, tre mujorin e këtij viti.
Lidhur me këtë, fillimisht foli drejtori i përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës, Sakip Imeri, i cili vuri në pah se gjatë periudhës tre mujore të këtij viti, ATK- j ka realizuar të hyra në vlerë prej 107. 7 milionë euro. Në vijim, ai nënvizoi se krahasuar me periudhën e vitit të kaluar, të hyrat gjatë kësaj periudhe janë më të larta për 12. 7 milionë euro, shprehur në përqindje 13. 4%.
Duke raportuar për të hyrat e tre mujorit të parë të këtij viti, ndërkaq, drejtori i Doganave të Kosovës, Bahri Berisha tha :"Projeksioni i të hyrave për vitin 2018 është 1 miliardë e 175 milionë euro dhe krahasuar me vitin paraprak është 67 milionë euro më shumë apo 6% më i lartë". Duke folur për të hyrat e realizuara, drejtori i Doganave të Kosovës bëri të ditur se ato arrijnë në shumën 212 milionë euro, apo, 2 %, më shumë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Pas kësaj, përfaqësuesit e këtyre institucioneve u janë përgjigjur edhe pyetjeve dhe shqetësimeve të anëtarëve të komisionit.
Mbledhja ka vijuar me shqyrtimin në parim të Projektligjit nr.06/L-072 për Institucionet Mikrofinanciare dhe Institucionet Financiare Jo bankare, shqyrtimin në parim të Projektligjit nr.06/L-042 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.05/L-028 për Tatimin në të Ardhurat Personale, shqyrtimin në parim të Projektligjit nr.06/L-044 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.05/L-029 për Tatimin në të Ardhurat e Korporatave, si dhe shqyrtimi në parim të Projektligjit nr.06/L-043 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.05/L-037 për Tatimin në Vlerë e Shtuar.
Të gjitha projektligjet janë përkrahur në parim nga komisioni, ndërkaq, lidhur me Projektligjin nr.06/L-072 për Institucionet Mikrofinanciare dhe Institucionet Financiare Jo bankare, është formuar edhe grupi punues, i cili në bashkëpunim me Komisionin për Administratë Publike, do të punojnë për amendamentimin e këtij projektligji, pasi që projektligji të kalojë në lexim të parë edhe në seancë plenare.