Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Arsim...
E Premte, 04.05.2018
Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi, i udhëhequr nga Ismajl Kurteshi, kryetar, të ftuar në mbledhje kishte zëvendës ministrin e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Heset Sahiti, për ta shqyrtuar në parim Projektligjin për statusin e punëtorëve të arsimit shqip të Republikës së Kosovës nga viti 1990/91 deri në vitin1998/99, si dhe përfaqësuesit e Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore për të shqyrtuar raportin vjetor për vitin 2017.
Zëvendës ministri, Heset Sahiti, e arsyetoi dhe prezantoi në mënyrë të përgjithshme anën përmbajtjesore të Projektligjit për punonjësit e arsimit të viteve të 90-ta. Ai theksoi se qëllimi i hartimit të këtij projektligji është njohja dhe përcaktimi i të drejtave, lidhur me benificionet e punëtorëve të punonjësve arsimit, që kanë punuar nga viti 1990/91 deri në vitin 1998/99. Përcaktimi i statusit dhe njohja e stazhit të punës përmes përkrahjes financiare për mësimdhënësit, punëtorët profesional, personelin menaxhues, administrativ dhe teknik, të shkollave dhe universiteteve të Prishtinës. Ky projektligj sipas Sahitit, është i rëndësisë së veçantë, për gjithë sistemin e arsimit shqip në Kosovë, duke marr në konsideratë kontributin e pa kompensuar të mësimdhënësve të atyre viteve.
Alush Istogu, drejtor financiar në ministri të Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, bëri të ditur se përmes këtij ligji synohet të përfitojnë në dy kategori të punonjësve të viteve të 90-ta : kategoria e parë e mësimdhënësve që kanë punuar prej 5 deri në 10 vite, llogaritet një pagë shtesë prej 75 % nga paga mesatare. Ndërkaq kategoria e dytë e mësimdhënësve që kanë punuar nga 1 deri në 5 vite llogaritet 65 përqindëshi i pagës bazë.
Anëtarët e komisionit shtruan pyetje dhe ngritën çështje lidhur me financimin e punonjësve arsimorë të viteve të 90-ta, dhe u zotuan që këtë Projektligj ta shqyrtojnë dhe hartojnë në mënyrë të përshpejtuar.
Në pjesën e dytë të mbledhjes së sotme të komisionit, ka raportuar Shafi Gashi, kryesues i Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore. Gjatë raportimit, Gashi bëri të ditur së KKTK, ka arritur progres krahasuar me vitet e kaluara, por, sipas tij, ka ende shumë punë për tu bërë. Ai theksoi se KKTK është në përbërje të plotë të anëtarëve të bordit, dhe të nëpunësve civilë. Ndërkaq, shqetësuese ai e paraqiti, numrin e vogël i punonjësve profesional. Më pas, Gashi, deklaroi se gjatë këtij viti janë kryer shumë detyra dhe aktivitete konkrete të cilat kanë ndikuar në përmirësimin e gjendjes së trashëgimisë kulturore. Sfiduese, sipas Gashit, është mosrespektimi i Ligjit për Trashëgimi Kulturore nga ana e MKRS-së, mos-bashkëpunimin i Këshillit Zbatues dhe monitorues si dhe mungesën e buxhetit.
Anëtaret e komisionit, shtruan pyetje dhe adresuan shumë çështje lidhur me fushëveprimtarinë e këtij institucioni, duke dhënë vërejtje dhe komente në lidhje me raportin.
Komisioni u dakordua që votimi i raportit nga Këshilli për Trashëgimi Kulturore për vitin 2017, të shtyhet për mbledhjen e radhës.