Lajmet e fundit
Grupi i Grave Deputete mbajti tryezë me temën: “Mamitë për një shërbim me efikas në Obstetrikë dhe Gjinekologji”
E Premte, 04.05.2018
Grupi i Grave Deputete (GGD), në bashkëpunim me Shoqatën e Mamive të Kosovës, mbajti sot tryezën e rrumbullakët me moton: "Mamitë për një shërbim me efikas në Obstetrikë dhe Gjinekologji", të cilën e kryesoi Mexhide Mjaku-Topalli, kryetare e GGD-së.
Në këtë tryezë morën pjesë përfaqësues të ministrisë së Shëndetësisë, kryetarja e komisionit Parlamentar të Shëndetësisë, Besa Baftiu, përfaqësues të Avokatit të Popullit, të shoqatave të mamive të Kosovës, Shoqatës së Gjinekologëve- Obstetërve etj.
Kryetarja e grupit te grave Deputete, Mexhide Mjaku-Topalli, në fillim të këtij takimi me rastin e " Ditës Ndërkombëtare të Mamive", uroi të gjitha mamitë për rolin dhe punën e tyre të shenjtë që bëjnë në vazhdimësi anë e kënd botës. Më pas Mjaku-Topalli, shprehu shqetësimin e saj lidhur me mbylljen e vazhdueshme të materniteteve ekzistuese në disa komuna, si dhe vështirësitë që hasin gratë nga zonat rurale në marrjen e shërbimeve mjekësore.
Pjesëmarrësit e kësaj tryeze të rrumbullakët diskutuan gjatë lidhur me rolin e mamive dhe maternitetin.
Besa Baftiu, anëtare e GGD-së, dhe kryetare e Komisionit për Shëndetësi, gjatë fjalës së saj, pohoi se nuk është duke iu dhënë prioritet shëndetit të nënës dhe fëmijës, siç është e paraparë me ligj. Ligji sipas saj nuk po gjen zbatueshmëri në institucionet shëndetësore.
Edona Hajrullahu, zëvendës avokate e popullit, deklaroi se roli i mamive duhet të fuqizohet brenda institucioneve përkatëse.
Magbule Elezi, kryetare e Shoqatës së Mamive të Kosovës, pohoi se edhe mamitë kanë nevojë për përmirësime, si në aspektin profesional, ashtu edhe në atë moral. Shefqet Lulaj, kryetar i Shoqatës së Gjinekologëve dhe Obstetërve, tha se në hartimin e strategjisë për vitin 2021, është paraparë mbyllja e të gjitha materniteteve për shkak të numrit të vogël të lindjeve.
Pas diskutimeve të të gjithë pjesëmarrësve gratë deputetet do të hartojnë disa rekomandime në lidhje më maternitet nëpër komuna të Kosovës.