Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së
E Premte, 04.05.2018
Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, raportuan sot ministri i Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi, si dhe u.d e drejtorit të Policisë së Kosovës, Naim Rexha.
Fillimisht, kryetari i Komisionit, Haxhi Shala, uroi për detyrën e re ministrin Gashi, ndërkaq shtroi një sërë çështjesh që kanë të bëjnë me fushën e sigurisë. Me theks të veçantë, u diskutua rasti i aksidentit të dy zyrtarëve policor, si dhe çështja e deportimit të gjashtë shetasve turq nga Kosova për në Turqi. Mes tjerash, u diskutua edhe lidhur me çështjen e zbatimit të marrëveshjes së Brukselit, si dhe aspekte tjera të respektimit të kodit të etikës nga zyrtarët policor.
Tutje, ministri Gashi dhe u.d drejtori i përgjithshëm i policisë, z. Rexha, theksuan faktin se janë të angazhuar për zgjidhjen e secilës çështje, veçmas ato që u ngritën gjatë këtij takimi nga Komisioni. Ata vlerësuan se lidhur me rastin e aksidentit të dy zyrtarëve policor dhe për rastin e deportimit të gjashtë shtetasve turq, do të dilet shumë shpejt me një raport përfundimtar.
Në vijim, anëtarë të Komisionit, ngritën edhe një sërë çështjesh tjera. Sa i përket luftimit të krimit të organizuar dhe krimit financiar, u vlerësua se këto çështje janë në ulje. Ndërkaq, sa i përket luftimit të të ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit, që shpie në terrorizëm, u theksua fakti se institucionet e sigurisë kanë ndërmarrë të gjitha masat për luftimin e këtyre dukurive.
Krejtësisht në fund, kryetari i Komisionit z. Shala dhe anëtarët tjerë, kërkuan nga përfaqësues të insitucioneve të sigurisë që të adresojnë të gjitha çështjet që u ngritën në këtë mbledhje.